“Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës” i Skënder Latifit, përtej klisheve të historisë

Libri “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës (1843-2018)”, nga Skënder Latifi – Botimet KOHA, Prishtinë, 2025 – shpërfaqet si rishikim shterues i lëndës historiografike përmes skanerit të ftohtë gjeopolitik. Ky kërkim shkencor projekton kod të ri të mendimit kritik, ku ashpërsia e dokumentit arkivor demaskon proceset retrograde të Beogradit ndaj trojeve tona lindore. Përmes arkitekturës së pasur burimore, autori ndjek pulsin e historisë që nga Luftërat Ballkanike, e deri te diplomacia moderne e epokës Trump. Pas leximit të kësaj vepre, në kujtesë ngulitet ajo vetmi e madhe historike në të cilën u lanë këto hapësira etnike, duke përfshirë edhe plagën e sotme të pasivizimit të adresave. Libri shmang çdo retorikë emocionale dhe romantike, duke u shndërruar në pikë referimi për platformat politike në mbrojtje të interesave tona gjeoetnike. Ky kërkim i zgjeruar historiografik ofron bazë të gjerë dokumentare që nxit reflektim të thellë mbi memorien kombëtare
Gjeografia e dhimbjes shqiptare ka pasur gjithmonë një tendencë dramatike për t’u tkurrur nëpër harta dhe për t’u zgjeruar nëpër kujtesë. Kjo përpjekje e vazhdueshme për tjetërsim territorial na kujton tezën gjeniale të mendimtarit Edward Said mbi gjeografitë imagjinare dhe mënyrën se si fuqitë hegjemone vizatojnë kufij artificialë për të zhveshur një popull nga identiteti i tij historik e gjeoetnik.
Kur mora në duar librin më të ri të studiuesit Skënder Latifi, me titull mjaft domethënës “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës (1843 -2018)”, m’u shpërfaq përpara një peizazh historiografik të cilin besoja se e njihja mirë. Si publicist dhe vëzhgues i vëmendshëm i rrjedhave të ashpra të politikave ballkanike, e kam pasur të njohur këtë problematikë që trajton autori, madje në nivele të detajuara të zhvillimeve politike. Megjithatë, tani pas leximit të këtij libri po ndahem me përshtypjen e fuqishme sikur kam lexuar një bibliotekë të tërë me dokumente e analiza dhe i përballur me një ortek burimesh që përmbysin krejtësisht klishetë e deritanishme.
Kufijtë si vatra të eksperimentit të egër gjeopolitik
Në këtë horizont të ri të vetëdijes sonë, puna e Latifit funksionon si një zbërthim i atyre që Michel Foucault i quante struktura të kontrollit administrativ dhe hapësira të përjashtimit, ku shteti përdor aparatin e tij ligjor e kadastral për të ushtruar një dhunë të heshtur, por sistematike mbi popullatën autoktone. Përmes dokumenteve të pasqyruara, Skënder Latifi, i zhvesh këta kufij lindorë nga petku i thjeshtë i vijave gjeografike, duke i ndriçuar ata si vatra të një eksperimenti të egër gjeopolitik që synonte ngushtimin sistematik të gjeografisë etnike shqiptare. Ky libër vendos një gur kufiri të pakalueshëm në historiografinë bashkëkohore, duke na detyruar që fatin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ta lexojmë përmes një analize rigoroze shkencore dhe jo përmes dogmave të gatshme të politikës ditore.
Në kapitujt vijues të librit, Skënder Latifi, zhvendos fokusin e kërkimit të tij te periudha e ndërlikuar e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve dhe te pasojat e saj afatgjata mbi popullatën shqiptare. Kjo epokë shënon fillimin e një asimilimi të heshtur, të orkestruar përmes reformave agrare dhe ligjeve kolonizuese, ku pronat e shqiptarëve tjetërsoheshin me dekrete mbretërore dhe transferoheshin te popullata sllave e sjellë nga rajonet e tjera. Autori dokumenton me saktësi se si Beogradi zyrtar përdorte administratën shtetërore si një armë për të ndryshuar strukturën gjeoetnike, duke u mohuar shqiptarëve të drejtat elementare kulturore dhe gjuhësore.
Në këtë analizë të ftohtë të mekanizmave të kolonizimit agrar, hulumtimi i Latifit gjen një pikëtakim të fuqishëm me tezat e historianit të shquar zviceran Oliver Jens Schmitt, i cili në studimet e tij mbi historinë e Kosovës dhe të viseve përreth ka ndriçuar strategjinë serbe të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore për shpërbërjen e kompaktësisë territoriale shqiptare. Schmitt argumenton se si reformat agrare të asaj kohe nuk kishin karakter ekonomik, por ishin instrumente të pastra të gjeopolitikës etnike, një konstatim ky që Latifi e vërteton me dokumente kadastrale specifike për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën duke treguar se si parcelat më pjellore të shqiptarëve u kthyen në koloni sllave.
Pozicioni strategjik si mallkim gjeografik
Autori analizon në mënyrë të thuktë edhe pozicionin strategjik të këtij rajoni, i cili shpesh është parë si një mallkim gjeografik për shkak të rëndësisë jetike që kishte Korridori i Moravës dhe Vardarit për interesat hegjemone ballkanike. Kjo qasje analitike përputhet plotësisht me vrojtimet e politologes dhe historianes amerikane Sabrina Ramet, e cila në analizat e saj mbi ndërtimin e shtetit jugosllav ka vënë në dukje se si Beogradi i shihte zonat kufitare me popullatë shqiptare si vatra të rrezikut të përhershëm gjeopolitik, duke aplikuar mbi to një regjim të vazhdueshëm ushtarak e policor. Latifi tregon se si Jugosllavia komuniste e pas Luftës së Dytë Botërore vazhdoi të njëjtën linjë të spastrimit të butë, duke përdorur presionin e vazhdueshëm ekonomik, taksat selektive dhe izolimin e qëllimshëm infrastrukturor për të detyruar shpërnguljen e heshtur të shqiptarëve drejt Turqisë apo qendrave të tjera urbane.
Ky proces i gjenocidit administrativ ndriçohet edhe më tej përmes ballafaqimit me arkivat e dokumentuara që ka lënë studiuesi Robert Elsie, i cili ka sjellë në dritë memorandume dhe projekte famëkeqe të Beogradit si ato të Çubriloviqit apo Rankoviqit mbi shpërnguljen e shqiptarëve. Skënder Latifi arrin të provojë me saktësi argumentuese se si këto ide fashizoide nuk mbetën thjesht në letër por u zbatuan me përpikëri në këtë pjesë të trojeve shqiptare, ku periudha e aksionit të mbledhjes së armëve dhe terrori shtetëror i viteve të pesëdhjeta e gjashtëdhjeta goditën palcën e qëndresës kombëtare, duke e reduktuar fizionominë etno-sociale në një shkallë të tmerrshme të mbijetesës sonë kolektive.
Në terrenin e nxehtë të historisë se afërt
Rrjedha kronologjike e kësaj historiografie braktis gradualisht pluhurin e shekujve të kaluar për t’u futur direkt në terrenin e nxehtë të historisë sonë të afërt, ku dinamika dhe intensiteti i ngjarjeve arrijnë kulmin me shpërthimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB). Skënder Latifi e trajton këtë epope përmes një analize të ftohtë dokumentare, duke e zhveshur nga fryma folklorike apo glorifikimet e çastit dhe duke e ndriçuar atë si një reagim të pashmangshëm e të ligjshëm ndaj dhunës së egër shtetërore serbe që pasoi fundin e luftës në Kosovë.
Përmes dokumenteve operative dhe dëshmive të kohës, Latifi zbërthen se si djemtë më të mirë të kësaj krahine u detyruan të rrokin armët për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe për të ndërkombëtarizuar një çështje që Beogradi përpiqej ta mbante të mbyllur brenda sirtarëve të policisë sekrete.
Në këtë pikë, sensi argumentues i autorit gjen një mbështetje të fuqishme edhe në analizat e studiuesve të shquar britanikë si James Pettifer, i cili në studimet e tij mbi formacionet e armatosura shqiptare ka vënë në dukje se si mbyllja e dhunshme e hapësirave politike prodhon në mënyrë të pashmangshme kryengritje ushtarake si mjet të fundit të vetëmbrojtjes kolektive. Latifi dëshmon se konflikti në këto tri komuna nuk ishte një incident i izoluar apo një eksport i dhunës, por pasojë direkte e dështimit të Beogradit për të integruar dhe respektuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve të mbetur nën administrimin e tij administrativ.
Ajo që e lartëson këtë pjesë të librit në nivelet më të larta të analizës gjeopolitike është zbulimi i prapaskenave diplomatike ndërkombëtare, ku spikat trajtimi që autori i bën të ashtuquajturit modeli i El Salvadorit. Latifi nxjerr në dritë se si strategët e huaj dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë u përpoqën të aplikonin në këtë rajon formula të ndërmjetësimit dhe të demilitarizimit që ishin sprovuar më parë në konfliktet e Amerikës Latine, ku integrimi i ish-guerilëve në strukturat policore multietnike shihej si një çelës për stabilitet. Ky krahasim i guximshëm dhe i dokumentuar tregon se si fati i shqiptarëve të këtyre komunave shpesh varej nga ekuacionet e mëdha globale, ku bisedimet e Konçulit dhe krijimi i Zonës Tokësore të Sigurisë analizohen si momente të një kthese të madhe, por edhe si dëshmi e një kompromisi të dhimbshëm që la shumë çështje të pezulluara në ajër.
Kjo qasje analitike përputhet plotësisht me vrojtimet e gazetarit dhe studiuesit të njohur britanik, Tim Judah, i cili në analizat e tij gjeopolitike mbi Ballkanin ka theksuar se modeli i paqes i zbatuar në këto anë shpesh vuante nga mungesa e garancive afatgjata ndërkombëtare, duke e lënë popullatën vendase në mëshirën e interpretimeve të njëanshme të Beogradit. Skender Latifi shfrytëzon edhe raportet e rëndësishme të International Crisis Group të asaj periudhe, duke dëshmuar se si diplomacia perëndimore nxitonte të shuante vatrat e zjarrit pa zgjidhur në thelb nyjen gordiane të statusit politik dhe juridik të shqiptarëve në Serbi.
Rikthimi si fantazmë i idesë së shkëmbimit të territoreve
Ky reflektim mbi historinë e afërt gjen kulminacionin e tij aktual në trajtimin e gjeopolitikës moderne dhe të periudhës tejet specifike të Administratës Trump, kohë kur ideja e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë u rikthye si një fantazmë në tryezat e diplomacisë së lartë. Skënder Latifi e analizon këtë moment me një ftohtësi të admirueshme shkencore, duke zhveshur rreziqet ekzistenciale që i kanoseshin tërësisë gjeoetnike të rajonit nga projektet e ndarjeve lineare apo copëtimeve të reja. Në këtë pikë, sensi i tij i mprehtë kritik gjen një pikë takimi të plotë me paralajmërimet e studiuesit dhe profesorit të njohur amerikan Daniel Serwer, i cili në analizat e tij të asaj periudhe argumentonte me forcë se lojëra të tilla me kufijtë etnikë mund të hapnin kutinë e Pandorës në Ballkan, duke destabilizuar fillimisht vetë Luginën e Preshevës dhe duke krijuar efekte domino në të gjithë rajonin. Latifi e zgjeron këtë bazë argumentuese duke provuar se si çdo lëvizje e tillë pa baza të qëndrueshme historike dhe pa garantim të të drejtave kolektive rrezikonte ta kthente këtë hapësirë në një vatër të re krize të përhershme. Kjo qasje përputhet pjesërisht edhe me vrojtimet gjeostrategjike të studiuesit britanik Timothy Less rreth rreziqeve që sjell dështimi i integrimit gjeoetnik të komuniteteve kufitare, gjë që e shtyn autorin ta projektojë librin e tij përtej një instrumenti të ftohtë historie, duke e shndërruar atë në një udhërrëfyes dhe alarm të gjallë gjeopolitik për sfidat që na presin në horizontin e diplomacisë së ardhshme.
Një horizonti të ri për autoritetin e historiografisë bashkëkohore
Kalimi nga rrafshi i thjeshtë i grumbullimit dokumentar në fushën e interpretimit analitik kërkon një zotërim të lartë të diskursit shkencor dhe Skënder Latifi dëshmon një mjeshtëri të veçantë në zotërimin e këtij ekuilibri. Gjuha e përdorur në këtë vepër shquhet për një rrjedhshmëri narrative që e mban lexuesin të mbërthyer pas tekstit, duke shmangur me sukses atë ftohtësi sterile që shpesh e karakterizon shkrimin e pastër akademik.
Kjo gjetje stilistike e autorit përputhet mrekullisht me teorinë e mendimtarit dhe strukturalistit të madh Roland Barthes, i cili në esesë e tij të njohur mbi shkencën dhe letërsinë theksonte se gjuha nuk është një mjet i ftohtë apo neutral i transmetimit të të dhënave, por një strukturë e gjallë ku vetë shkrimi shkencor fiton autoritet dhe densitet kur pranon trashëgiminë e formës narrative.
Në këtë frymë, Skënder Latifi e vendos saktësinë e terminologjisë shkencore brenda një diskursi të lartë publicistik, i cili karakterizohet nga shprehje dhe sintagma të fuqishme argumentuese që i japin tekstit një peshë të jashtëzakonshme analitike.
Vlera shkencore e këtij studimi shpërfaqet në përmasat e një horizonti të ri për autoritetin e historiografisë bashkëkohore, duke u shndërruar në një pikë të rëndësishme referimi për formimin e brezave të rinj dhe për ndërtimin e platformave kombëtare e politike që orientojnë strategjikisht vendimmarrjen tonë në mbrojtje të interesave tona gjeoetnike.
Për studentët e shkencave politike dhe historisë, kjo vepër shërben si një model i shkëlqyer se si duhet të hulumtohet dhe të zbërthehet një nyje e ndërlikuar gjeopolitike. Për historianët, libri ofron një fushë të re të dhënash të cilat rishikojnë dhe plotësojnë shumë nga mangësitë e historiografisë së deritashme shqiptare mbi trojet tona lindore. Ndërkaq, për diplomatët dhe strategët e politikës së jashtme, studimi i Latifit përbën një dosje të jashtëzakonshme referenciale, një doracak të mirëfilltë gjeopolitik që duhet mbajtur në çdo tryezë ku bisedohet për fatin dhe të drejtat kolektive të shqiptarëve në rajon. Sensi kritik i autorit shpërfaqet në aftësinë për të parë përtej fasadës së marrëveshjeve zyrtare, duke analizuar me një guxim të rrallë intelektual dështimet, kompromiset e dhimbshme dhe mungesën e një strategjie afatgjate nga ana e faktorit politik mbarëshqiptar.
Anatomia e një spastrimi të heshtur administrativ
Pas leximit të këtij libri, në kujtesën tonë do të na ngulitet me një forcë tronditëse ajo vetmi e madhe historike në të cilën u lanë trojet tona nën kamxhikun e proceseve retrograde të Beogradit, ku përtej statistikës së ftohtë të shpërnguljeve shpërfaqet imazhi i një popullate, ndonëse në atomin e fundit, mbrojti kompaktësinë etnike e territoriale përmes një qëndrese titanike. Ky kalvar nuk ka përfunduar me epokat e kaluara, por vazhdon edhe sot në formën e tij më perfide përmes pasivizimit dhe shuarjes sistematike të adresave të shqiptarëve, një proces ky që synon fshirjen e tyre definitive nga regjistrat juridikë dhe administrativë të tokës së vet.
Kjo formë moderne e dëbimit të heshtur përputhet mrekullisht me paralajmërimet e sociologut të njohur Zygmunt Bauman mbi natyrën e asgjësimit burokratik, ku dhunën fizike e zëvendëson ftohtësia e lapsit të nëpunësit shtetëror që e shndërron qytetarin autokton në një qenie të padukshme dhe pa ekzistencë ligjore. Përballja me këtë strategji të heshtur shtetërore nxit një proces të domosdoshëm të reflektimit kolektiv, ku hulumtimi i Skënder Latifit merr vlerën e një kthese të rëndësishme në historiografinë bashkëkohore përmes refuzimit të prerë të versioneve të gatshme apo të gjysmuara të politikës së ditës.
Të hulumtosh nëpër arkiva të huaja e shpeshherë të mbyllura, të ballafaqohesh me historiografinë e egër serbe dhe të guxosh të trajtosh tema që prekin ekuacionet e sotme të gjeopolitikes moderne, kërkon një përkushtim që kalon kufijtë e një pune të thjeshtë akademike. Ky projekt kolosal i autorit merr vlerën e një akti të lartë patriotik e shkencor, sepse ai dokumenton për herë të parë në këtë nivel detajesh anatominë e një spastrimi të heshtur administrativ.
Një libër historiografik vlen aq sa vlejnë themelet e tij dokumentare dhe Skënder Latifi ka refuzuar të ndërtojë kështjellën e tij mbi rërën e dëshmive të dorës së dytë. Ky studim është produkt i një hulumtimi disavjeçar që ka kërkuar një durim prej murgu dhe saktësi prej kirurgu, ku autori ka gërmuar nëpër bodrumet e historisë, duke nxjerrë në dritë dokumente të periudhës midis viteve 1966 dhe 2001. Këto gjetje zbulojnë fijet e padukshme të vendimmarrjes jugosllave dhe serbe ndaj shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Kosovës administrative. Pasuria e faksimileve të periudhës midis viteve 1880 dhe 1968 si dhe të dhënat statistikore të shtrira në harkun kohor midis viteve 1912 dhe 2002 ofrojnë një skanim dokumentues të gjenocidit të heshtur, ku shifrat flasin me gjuhën e ftohtë të spastrimit etnik dhe të zhvendosjeve të dhunshme të popullatës.
Operacioni i ndërlikuar shkencor
Vlera monumentale e kësaj vepre merr peshë substanciale pikërisht te sensi i lartë shkencor dhe intelektual i Skënder Latifit për të mos mbetur peng i një historie të ngurtë kadastrale. Autori ka bërë një gjurmim kapilar nëpër arkiva dhe biblioteka ballkanike e evropiane, duke integruar në projektin e tij një korpus të jashtëzakonshëm të gazetave dhe revistave periodike, gjë që dëshmon aftësinë e tij brilante për të ndjekur pasqyrimin mediatik në kohë reale të krizave, luftërave dhe marrëveshjeve politike. Ky operacion i ndërlikuar shkencor e shpëton librin nga kurthi i të qenit një inventar i ftohtë arkivash, duke na ofruar një hulumtim të gjallë që kap pulsin mediatik, politik dhe shoqëror të secilës epokë gjeopolitike.
Në pjesën përmbyllëse të artikujve të botuar, Skënder Latifi demonstron një akribi të rrallë shkencore duke ballafaquar historiografinë zyrtare serbe me të vërtetat e terrenit përmes citimit të autorëve që konsiderohen autoritet në këtë fushë. Ai sjell në vëmendje studimet e hulumtuesit të njohur të rajonit të Vranjës, Momçillo Zllatanoviq, të botuara në vjetarin “Leskovački zbornik”, ku punimi mbi lëvizjet komite e çetnike midis viteve 1904 dhe 1912 në Kazanë e Preshevës dhe të Vranjës zbardh operacionet e dhunshme të serbëve para Luftërave Ballkanike, ndërsa artikulli mbi periudhën e Husejin Pashës ndriçon historikun e feudalëve dhe krerëve lokalë. Sensi kritik i autorit shpërfaqet në zbërthimin e punimeve të historianit serb Nikolla Zhuqiq, i cili trajton raportet komplekse fetare midis Ortodoksizmit serb dhe Romakatolicizmit në të ashtuquajturën “Serbi e Jugut” ndërmjet dy luftërave botërore, si dhe në shfrytëzimin e analizave të Mihailo Vojvodiqit mbi politikat e fshehta diplomatike të Beogradit për reformat osmane, të botuara në “Vardarski zbornik”. Kësaj analize të thuktë i shtohen edhe tri punime specifike të P. T. Vukaniqit, të botuara në “Vranjski glasnik”, që hedhin dritë mbi kryengritjen shqiptare të viteve 1826–1832 dhe ofrojnë monografi lokale për Bujanocin dhe Preshevën.
Ky mozaik dokumentar plotësohet dhe merr frymëmarrje përmes një seksioni të gjerë të shtypit dhe burimeve periodike, ku Skënder Latifi ka shfrytëzuar me mjeshtëri gazetat kryesore shqiptare, serbe, kroate dhe ndërkombëtare për të dokumentuar ngjarjet e shekullit të kaluar dhe krizat moderne. Në rrafshin e shtypit shqiptar, hulumtimi mbështetet në autoritetin e gazetës “Bujku” midis viteve 1994 dhe 1997, si e vetmja gazetë e përditshme në Kosovë gjatë viteve të rënda të okupimit, në gazetën “Fakti” të Shkupit të vitit 2001, që rezulton jetike për mbulimin e konfliktit të UÇPMB-së, në revistën lokale “Jehona” të Tërrnocit të Madh për pasqyrimin e Referendumit të vitit 1992, si dhe në gazetën “Koha Ditore” dhe “Bota Sot” për mbulimin e detajuar të bisedimeve të Konçulit dhe zonës demilitarizuese.
Për të ruajtur objektivitetin e lartë shkencor, Latifi hulumton me guxim edhe shtypin serb, si gazetat “Blic” dhe “Danas” për të parë qëndrimet e Beogradit postmillosheviqian dhe epokën e Administratës Trump ndaj Luginës së Preshevës, duke mos harruar edhe mediat, si “Borba”, “Naša Borba”, “Dnevnik”, “Naša reč” dhe revistën “NIN”. Ky ekuilibër burimor merr vlera të pakontestueshme me përfshirjen e gazetës kroate “Jutarnji list” të vitit 1912, e cila sjell lajme të paanshme mbi marshimin e ushtrisë serbe drejt Luginës së Preshevës dhe Kosovës gjatë Luftës së Parë Ballkanike, si dhe të revistës së famshme franceze “L’Illustration” të vitit 1912, raportet dhe ilustrimet e së cilës dokumentojnë pamjet e tmerrshme dhe krizën humanitare në rajon.
Në këtë rrugëtim metodologjik, libri i Skënder Latifit gjen pika takimi me veprat e studiuesve të shquar të huaj si Noel Malcolm apo historiografisë dokumentare të Robert Elsie, sepse ngjashëm me ta, ai nuk mjaftohet me konstatime sipërfaqësore, por ndjek gjurmët e gjalla të historisë përmes një arkitekture burimore që i jep librit autoritetin e një teksti referencial për diplomacinë ndërkombëtare.
Kjo përpjekje serioze e Skender Latifit për ndërtimin e një arkitekture dokumentare, gjen mbështeje te teza e njohur e historianit dhe mendimtarit Marc Bloch mbi natyrën e dëshmive historike, sipas të cilit arkivat mbeten memece për aq kohë sa kërkuesi nuk zotëron mprehtësinë intelektuale për t’i marrë ato në shqyrtim me një qëllim të qartë analitik. Skënder Latifi nuk mjaftohet me grumbullimin mekanik të faksimileve apo statistikave, por aplikon saktësisht këtë parim të Blochut duke i shndërruar burimet e ftohta zyrtare në dëshmitarë të gjallë të një procesi të gjatë e të pandërprerë të spastrimit administrativ. Përmes kësaj qasjeje, libri i tij fiton peshën e një platforme të pakontestueshme shkencore, ku çdo dokument i gërmuar nëpër arkiva ballafaqohet me strategjitë e heshtjes, duke dëshmuar se e vërteta historiografike nuk ndërtohet mbi supozime, por mbi autoritetin e palëkundur të gjurmës së shkruar.
Nga: Emin Azemi / Koha.net
KOHA JONË SONDAZH

