Sejdiu pa votat e nevojshme, Kurti nuk tërhiqet nga marrëveshja. Kosova sërish në zgjedhje?

Mundësia që Kuvendi i Kosovës të sigurojë kuorumin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit të ri duket gjithnjë e më e largët, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të sigurojnë mbështetjen e nevojshme. Më 31 gusht, të dyja partitë propozuan si kandidat për president Bekim Sejdiun, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, kandidatura e tij nuk mori mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së në votimin e së martës.

Pavarësisht zhvillimeve, kryeministri dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se marrëveshja politike me LDK-në mbetet në fuqi. Ai ka paralajmëruar se do të zhvillojë takime të tjera me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje. “Do të zhvillojmë edhe takime edhe mbledhje. Për ne, marrëveshja politike ende është valide”, deklaroi Kurti.

Në anën tjetër, Abdixhiku e ka interpretuar refuzimin e kandidatit të propozuar nga partia e tij si një sinjal të qartë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja. “Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit – zgjedhje të reja”, ka shkruar Abdixhiku, duke shprehur edhe pakënaqësinë ndaj gjashtë deputetëve të LDK-së që nuk e mbështetën kandidaturën.

Swiss Digital Desktop Reklama

Analistët vlerësojnë se pas zhvillimeve të fundit, Kosova është më pranë zgjedhjeve të reja sesa arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit. Sipas analistit Arbnor Sadiku, situata tashmë varet kryesisht nga vendimi i Albin Kurtit dhe mënyra se si ai do të zgjedhë ta orientojë krizën politike. “Ka pasur një dështim dhe, në të njëjtën kohë, vendi është më afër zgjedhjeve të reja sesa një marrëveshjeje të re. Krejt kjo situatë ndodhet në duart e zotit Kurti, varësisht se si dëshiron ta orientojë situatën”, tha Sadiku.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas tij, Kurti ka dy mundësi: ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja ose të përpiqet të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit. “Nëse dëshiron të shkojë në zgjedhje, mund ta dërgojë vendin menjëherë. Nëse dëshiron të gjejë zgjidhje, mund të negociojë për të siguruar ndonjë votë nga deputetë të partive të tjera apo edhe të ndryshojë kandidatin”, u shpreh Sadiku.

Ndërkohë, hapësira për bashkëpunim me partitë e tjera parlamentare mbetet e kufizuar. Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë, ndërsa Aleanca ka paraqitur gjashtë kushte për mbështetje, ndër të cilat edhe pranimin e projektit të gazit amerikan. Pa përmbushjen e këtyre kërkesave, Aleanca ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë Kurtin në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Kosova u përball edhe më herët me një krizë të ngjashme institucionale. Më 7 qershor u mbajtën zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi në fillim të vitit Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?