Tensionohen raportet Serbi-Kosovë. Serbët dorëzojnë mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës

Deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar ditën e sotme mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, tha për mediat se dorëzimi është pranuar zyrtarisht nga administrata.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas nisjes së shpërndarjes së fletëqortimeve për targat. Autoritetet kosovare e pezulluan drejtorin e Policisë së veri, Nenad Gjuriqin, për shkak se ka refuzuar të lëshojë fletëqortime për serbët e Kosovës që nuk i ndërruan targat.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç tha se serbët në Kosovë kanë bërë përpjekje vazhdimisht për të zgjatur dorën e pajtimit.

“Dorëheqjet e të gjithëve nga lista serbe, gjykatësve dhe policëve nuk janë rezultat i lodhjes nga lufta por sepse nuk duam të jemi mbulesë për institucionet e Kosovës që të vazhdojnë të ushtrojnë dhunë institucionale ndaj popullit tonë”, tha zoti Simiç.

Të dielën, kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zubin Potok dhe Zveçanit, katër komuna këto në veriun e Kosovës dhanë dorëheqje nga postet e tyre së bashku me këshilltarët komunal nga radhët e Listës Serbe.

Edhe pjesëtarët serb të policisë së Kosovës në veriun e vendit dorëzuan të dielën në mënyrë të organizuar letrat e dorëheqjes nga policia e Kosovës e cila tha se “kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara”.

Përfaqësuesit politik të serbëve thanë se nuk do të kthehen në institucione derisa autoritetet në Prishtinë nuk tërhiqen nga vendimi siç e quajtën të njëanshëm për targat dhe derisa të formohet Asociacioni i komunave serbe në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot se veprimet e fundit në veriun e vendit janë përpjekje të Serbisë për të destabilizuar Kosovën.

“Një përpjekje e tillë do të jetë e pasuksesshme sepse shteti ynë është i fortë duke qenë demokratik dhe duke qenë i rreshtuar drejt me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se ka mundësi që Serbia nuk ka dëshirë që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog dhe ka zgjedhur rrugën e destabilizimit. Ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për gjendjen aktuale.

“I ftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët serbë të vendit tonë që të mos i braktisin institucionet që të mos japin dorëheqje, që të mos i lëshojnë vendet e punës sepse në këtë mënyrë vetëm dobësohet shërbimi ndaj qytetarëve. Ata nuk kanë presion nga ne, ata kanë thirrje dashamirëse prej neve, presionin e kanë nga Beogradi i cili dëshiron destabilizimin të Kosovës, mirëpo nuk do të mund ta bëjnë këtë”, tha kryeministri Kurti.

Vendimi i serbëve nxiti reagime të zyrtarëve ndërkombëtarë që bënë thirrje për ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në veriun e Kosovës.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të dielën se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës “nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka mundësi për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”.

Ai i tha medias serb N1 se Shtetet e Bashkuara i bashkohen Bashkimin Evropian duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’u kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës”

Po ashtu ai tha Shtetet e Bashkuara mbështesin BE-në në thirrjen drejtuar institucioneve të Kosovës “që t’i respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë, që do të thotë se procesi për riregjistrimin e automjeteve të shtyhet menjëherë dhe çdo masë ndëshkuese ndaj pronarëve të targave të lëshuara nga Serbia të pezullohet derisa palët ta zgjidhin çështjen e targave brenda dialogut.

“Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është detyrim ligjor”, tha ambasadori Hill për N1.

Me një nëntor autoritetet e Kosovës filluan zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për targat e makinave që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm, por kjo kundërshtohet nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës të cilët nuk pajtohen me vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, RKS.

Diplomatët perëndimorë i bënë thirrje Kosovës të të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e vendimit për të shmangur tensionet dhe për të krijuar hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi franko – gjerman që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë ndonëse nuk janë dhënë hollësi të propozimit thanë se “paraqet një përparim” në proces.Ndërsa ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç u tha medieve serbe se Beogradi e ka refuzuar nismën meqë sipas tij, ajo niset nga pohimi se “Kosova është e pavarur”, gjë që është e papranueshme për Serbinë, e cila llogaritë në mbështetjen ruse në pretendimet e saj ndaj Kosovës.

Perëndimi ka frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikte në Ballkanin Perëndimor që ende po rimëkëmbet nga luftërat e përgjakshme të viteve të 90-ta.

Reagon SHBA

Një zëdhënës i ambasadës amerikanë në Prishtinë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe vënë në rrezik paparimin e rëndësishëm të arritur në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka mundësi për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Të gjitha palët e përfshira duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe qëndrueshmërinë në Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshëm dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, tha zëdhënësi.

Së këndejmi, tha ai, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të dala nga bisedimet të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale.

Në të njëjtën kohë, “ne përsëri i bashkohemi BE-së në thirrjet për t’u kërkuar autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të makinave dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të dialogut”.

SHKARKO APP