SHBA: Kosovë-Serbi, jo marrëveshje që krijon destabilitet në rajon
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar për herë të parë që pas deklaratës se Këshilltarit te Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, lidhur me debatin për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Një zëdhënës i DASH deklaroi për “Vizion Plus” se administrata e SHBA nuk përjashton asnjë opsion marrëveshje që arrihet nga dy palët. Por në qëndrimin e SHBA theksohet se dy shtetet duhet të arrijnë një marrëveshje që nuk krijon destabilitet në vendet e tyre dhe as në rajonin e Ballkanit. “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e implementueshme, e qëndrueshme dhe që nuk krijon destabilitet në vendet e tyre, por edhe në rajon. Kjo do të kërkojë vizion dhe fleksibilitet nga të dy krahët. Në inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë të procesit, të reduktojnë retorikat negative dhe të punojnë bashkë në mënyrë konstruktive“,- deklaron DASH.
Lidhur me mënyrën sesi do të procedohet me dialogun, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaron se SHBA është e gatshme të ndërmjetësoje për arritjen e një zgjidhje të përbashkët. “Administrata vijon ta mbështes plotësisht procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Thelbi i një marrëveshje që do të çoje në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do duhet të vijë nga vetë palët. Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të ndihmojmë në çdo mënyrë, të dyja palët dhe BE-në si ndërmjetësuese në gjetjen e zgjidhjes të përbashkët“,- deklaroi zëdhënësi i DASH.
Qëndrimi i DASH për marrëveshjen Kosovë-Serbi ka vendosur një vijë të kuqe mes palëve, edhe pse u lë hapësirë për të diskutuar për të gjitha temat. Dhe vija e kuqe është garancia se nuk do të ketë tensione në rajon. Idetë për të cilat po diskutojnë Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç janë ato për shkëmbim territoresh dhe korrigjim kufijsh. Por projekte të tilla kanë sjellë reagime të forta nga vendet e tjera në rajon. Korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë pasoja në Bosnjë, Maqedoni, Kroaci, etj. Një marrëveshje me ndryshim kufijsh është pikërisht e kundërta e asaj që kërkon SHBA, stabilitetin e rajonin.