Skeda e Kryeministrit/14 vjet opozitë, Albin Kurti politikani që s’u frikësua nga prangat
Albin Kurti, lideri dhe themeluesi i Lëvizjes VetëVendosje, është kryeministri i ri i Kosovës me vullnetin e plotë të sovranit. I përfshirë prej më shumë se një dekadë në politikë por pa e provuar asnjëherë pushtetin si formë të një marrëveshjeje lokalesh, Kurti besonte gjithmonë se VV do të kthehej në një shpresë për vendin. Ashtu ndodhi! Më 6 tetor pasi shumica e kutive të votimit ishin numëruar, Kurti ftoi të gjithë ata që i bësuan votën që të dilnin në shesh dhe të festonin me të. Gjithnjë kundër rrjedhës, Albin Kurti është parë si gjithmonë si një nacionalist, i cili ka luftuar gjithmonë për idealet e tij. “Unë si kryeministër nuk do ta heq flamurin e Kosovës nga zyra. Unë kam qenë i indinjuar kur flamuri i Kosovës nuk është lejuar me qenë me referendum, nuk është leju që me qenë ngjyra e kuqe e as shqiponja. Pika jonë ma e forta është se ata që e kanë valëvit flamurin deri tash e kanë vjedhë ardhmërinë tonë do të shkojnë në shtëpi”, tha ai.
Po kush është Albin Kurti, kryeministri i ri i Kosovës?
Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai filloi të spikasë gjatë periudhës së luftës nisur nga viti 1997, pasi në rezistencë kundër Milosheviçit Albini u bë pjesë i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Grupi me anë të protestave dhe të mosbindjes civile kërkonte lirimin e ambienteve universitare nga pushtimi serb. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.
Sapo lufta e Kosovës kishte filluar zyrtarisht, në gusht të vitit 1998 Albini filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbeu si sekretar i zyrës. Gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar në gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Kosovë. Gjatë bombardimeve të NATO-s ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe. Më 13 mars 2000 në Nish, Albini u dënua me 15 vjet burg të rëndë.
Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Milosheviçit që e ka mbajtur Kosovën nën okupim”. Kur u dënua, ai tha: “Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më ipej rasti do të veproja sërish njësoj”. Si rezultat i presionit ndërkombëtar Albini u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003 Albini diplomoi në fakultetin e shkencave kompjuterike dhe telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi të jetë aktivist i të drejtave të njeriut dhe atyre civile.
Krijimi i VV
Pas çlirimit të Kosocës, Kurti punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN), të formuar në vitin 1997, që u ringjall në konferencën “Drejtimet e reja” të mbajtur në Prishtinë nga 8-13 korrik 2003. Më 12 qershor 2005 në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën “Jo negociata, vetëvendosje”, fjalë e cila pikërisht solli transformimin e KAN-it në Lëvizjen vetëvendosje! Shkrimi i parullave vazhdoi gati në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës, dhe pastaj lëvizja filloi me përdorimin e metodave tjera kreative e të pa dhunshme sikurse janë aksionet simbolike, bllokadat dhe së fundi edhe demonstratat masive.
Sërish edhe njëherë Kurti provon shijen e prangave të policisë ndërkombëtare, e cila ndaloi gjthashtu edhe qindra aktivistë të tjerë. Me kalimin e kohës, Lëvizja Vetëvendosje u kthyer në parti, e cila ishte gjithmonë e gatshme të zgjidhte opozitës sesa një marrëveshje për pushtet. Problemet nuk kishin të ndalur për Kurtin, edhe njëherë, tashmë në Kosovën e pasluftës ai do të shikonte sërish qelinë e burgut. Në vitin 2017 ai u arrestua bashkë me dy deputetë të tjerë pas përfundimit të një proteste të partive opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe kundër asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Të tre ata u liruan nga burgu disa ditë më parë për të vuajtur dënimin e tyre me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ndërkohë i dorëhequr nga kreu i parisë, VV drejtohej nga Visar Ymeri, e cila u has me shumë probleme. Ymeri u detyrua të japë dorëheqjen e tij pas zbulimit të një skandali ku deputetja Aida Dërguti kishte fyer me fjalë banale Albin Kurtin kur ky i fundit ishte në paraburgim. Dorëheqja e tij pasoi edhe largimin e shumë deputetëve të tjerë, duke e lënë VV në prag të shkatërrimit. Por ai që e krijoi, u rikthye sërish për të marrë frerët e saj.
Me rikthimin e tij në krye të VV, Kurti vijoi të kundërshtonte po aq shumë një marrëveshje të mundshme me Serbinë, në dëm të interesave të Kosovës, duke mos i kursyer sulmet në drejtim të qeverisë Haradinaj. Me dorëheqjen e Haradinaj, Kurti doli menjëherë në një deklaratë për shtyp duke e komentuar si një vendim të vonuar. Por teksa bënte “sulmet” e rastit, nga ana tjetër Albini kishte ndezur deri në fund motorrat për garën. Kësaj here ai do të fitonte, si shpërblim ndaj bindjeve dhe parimeve të tij. Mbetet për t’u parë nëse Albini do të përmbushë të gjithë premtimet e bëra gjatë 14 viteve në opozitë. Kurti duhet të vërtetojë se Kosova nuk ka gabuar.