Sot raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, në 18 komuna vota e balotazhit do të përcaktojë fituesit

Në Kosovë zhvillohet sot raundi i dytë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në total janë 18 nga 38 komunat e Kosovës ku do të zhvillohen sot votimet e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë.
Vëmendja e opinionit publik do të jetë kryesisht te përballja për Prishtinën.
Kryeqyteti diskuton balotazhin për të zgjedhur kryetarin e ri, ndërsa qytetarët presin që kandidatët – Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje – t’u japin fund problemeve që prej vitesh e ngarkojnë jetën e përditshme: trafik i rënduar, mungesë parkingu, menaxhim i dobët i mbeturinave dhe hapësira publike që po pakësohen.
Të dy kandidatët, Përparim Rama dhe Hajrulla Çeku, vijnë pas një gare të ngushtë në raundin e parë, ku morën mbi 33% të votave.
Ata dolën pothuajse në barazim nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor. Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Rama mori 33,79% të votave, ndërsa Çeku 33,01%, duke e çuar garën në një balotazh të ngushtë.
Të dy kandidatët premtojnë zgjidhje për problemet e përditshme të prishtinasve, si trafiku i ngarkuar dhe mbeturinat.
Në Prishtinë, ku çdo votë mund të bëjë diferencën, gara pritet të jetë e fortë dhe vendimtare jo vetëm për fatin e kryeqytetit, por edhe për balancat politike në nivel vendi, sipas analistëve.
Fushata elektorale përfundon sot në orë 06:59, teksa qendrat e votimit zyrtarisht hapen në orën 07:00.
Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
Kujtojmë se LVV është në balotazh në 12 komuna të Kosovës, LDK në 9 komuna, PDK në 6 komuna, ndërsa AAK në 5 komuna.
KOHA JONË SONDAZH

