Thaçi: Akuzat e Dick Martyt ranë, më vjen keq për viktimat e luftës në Kosovë
Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se procesi gjyqësor kundër tij në Gjykatën e Posaçme në Hagë, e hoqi “renë e zezë” mbi Kosovën, sa u përket pretendimeve për trafikim organesh nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ngritura nga ish senatori zviceran, Dick Marty.
Zoti Thaçi i bëri këto komente në ditën e dytë të procesit gjyqësor kundër tij dhe tre ish zyrtarëve të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria i ngarkon ata për veprat; përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
Zoti Thaçi, tha se ndjen “keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë” pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike fetare apo politike.
“Viktima s’marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Jam i pafajshëm nga të gjitha këto akuza”, tha ai.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Por kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme.
Zoti Thaci tha se pas pretendimeve të Dick Martyt kishte kërkuar hetime të pavarura.
“Bashkësia Ndërkombëtare tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë për akuzat për trafikim organesh. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë që ne jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”, tha zoti Thaçi./VOA/