Zef Mazi: Albin Kurti, amerikanët dhe kriza politike në Kosovë
Ish-ambasadori Zef Mazi, në një intervistë për “Java News” ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe qëndrimin e SHBA ndaj qeverisë së Albin Kurtit.
Pyetje: Para dy javësh ju morëm një intervistë me temë Kosova dhe kriza e saj politike. Nga përvoja juaj, a ju duket se ajo krizë është thelluar apo po fashitet?
Pergjigje: Situata politike në Kosovë realisht është e padenjë, e turbullt dhe me pasiguri për ecurinë e saj. Mënyra si u provokua dhe si ndodhi kriza, koha kur ajo ndodhi në këtë pandemi shëndetësore, e bën edhe më të rëndë dhe më të paqartë situatën. Kriza qeveritare atje duket se dëshmon papjekuri politike, kryeneçësi, konfrontime inatçore individuale dhe partiake, interesa okulte personale, përpjekje për mbulim dështimesh dhe korrupsioni, frikë nga çfarë mundet apo do të sjellë e ardhmja. Duket sa pak rëndësi ka, për ata që e provokuan, rezultati i zgjedhjeve, ishin apo nuk ishin demokratike, dhe interesi i gjërë publik për çështjen kombëtare dhe statusin e Kosovës si subjekt i njohur ndërkombëtarisht i të drejtës ndërkombëtare. Shumë gjëra mbulohen me vellon “demokraci“ dhe “demokratike“ por, per mua, është e qartë përse përdoret ky term dhe sa shpesh perdoret ai. Gjithëçka bëhet në emër të saj dhe për popullin e Kosovës. Pak foshnjore! Kur të intereson ka rëndësi, kur nuk të intereson nuk ka rëndësi.
Si në kohë krize apo jo krize, nuk është zor të dëgjosh etiketime drejtuesish si jodemokrate, autoritariste, ekstreme, hajdute, genjeshtare apo, sic e kemi në majë të gjuhës ne shqiptarët kur dicka nuk na pëlqen, si anti-amerikanë. Këto lloj etiketimesh flasin për bazë jo të shëndoshe, por të dobët, logjike dhe arsyetimi. Ato tregojnë se ka mbërritur fundi i argumenteve, nuk ka më, prandaj lëshohen këto “fishekë” pa doreza. E keqja tjetër është se këto etiketime besohen nga shqiptarët, mendohet bardh-e-zi, shkurt. Kjo është lojë e dalur boje, por që vazhdon të luhet nga gjithë krahet e politikës edhe sot. Në këtë dritë, dhe me çfarë vazhdon të ndodhë, unë e shoh më të thelluar krizën.
Pyetje: Janë lexuar mendime se kjo krizë mund të jetë në sinkron, ndoshta me nxitjen e të dërguarit të posaçëm amerikan Grenel. Ju e keni thënë direkt dhe indirekt këtë gjë para dy javësh. Po tani si mendoni?
Përgjigje: Shumë gjëra në politikën e jashtme kuptohet përse, ku dhe kur ndodhin. Nëse nuk je vetë brenda “guzhinës“ ku gatuhen “gjellërat“ është mirë të evitohet të flasësh me 100 përqind siguri. Por, ajo që duket qartë nuk mund të mbulohet me “shoshë”. Për mua, ai emër që përmendët ju ka ndikim direkt dhe një kredibilitet të ulët sot në sytë e shqiptarëve, pavarësisht nga ofiqet që i janë dhënë. Nuk do të thotë se je anti-amerikan, apo anti-europian, apo anti-dicka, kur nuk je në një mendje, kur nuk je dakord me dikë apo me dicka.
Të mos jesh dakord me dikë, apo edhe me një adminstratë, apo me dikë tjetër aty, për heqjen nga ana e Kosovës 100 perqind të taksës me Serbinë, pa asnjë kusht, nuk është as herezi, as krim dhe as anti-amerikanizëm. Kjo është gjë krejt normale, veçanërisht kur argumentet e tua janë të qëndrueshëm, bëjnë sens, janë të logjikshem dhe të shëndoshë. Ajo që dëgjohet shpesh se ”kështu na kanë thënë, na kanë kërkuar ata“, per çdo gjë dhe në cdo kohë, tregon thjesht mungesë logjike, arsyetimi, frike, mungese vizioni dhe dinjiteti, mungesë argumentesh, mungesë force bindëse. Ndoshta këto vijnë edhe nga mosdija, mungesa e përvojës, nga frika për të qenë brenda, se mos na heqin, për të thënë jemi me ju, etj.! Kjo e tkurr dhe e zvogëlon imazhin, aftësinë për të pasur mendimet dhe pozicionet e tua, dhe dinjitetin e bën leckë, foshnjor. Të qenurit në pushtet gjatë, me çdo kusht, pavarësisht viteve apo moshës, tregon frikë nga dalja jashte asaj mburoje. Duhet të kesh bërë dicka, ndryshe nuk ka përse të kihet frikë të mos jesh në një karrige përgjithmonë! Për mua, kështu duhet parë kjo gjë.
Pyetje: Kurti bënte fjalë për reciprocitet të plotë, për heqjen graduale të taksës. Çfarë interpretimi keni per kete dhe per presionin e Grenelit?
Përgjigje: Presioni i Grenelit, heqje pa kushte e taksës, duhet parë në disa plane: së pari, ai tregon mos-konseguencën në politikën e jashtme amerikane, për çka edhe njihen; së dyti, ai tregon dështim të presioneve, nëse ka pasur, dhe të politikes amerikane ndaj Serbisë në lidhje me marrëdheniet e saj me Kosovën, me të ardhmen e këtyre marrëdhënieve, si dhe më gjërë me efektet në rajon; së treti, ai tregon sa përciptas e njeh administrata sot një histori tepër të dhimbshme genocidi që ka vazhduar mbi 100 vjet, që solli shumë luftëra ballkanike dhe vrasje e shkatërrime por, në fund, edhe clirimin e popujve te rajonit nga regjimi i Miloshevicit; së katërti, ai tregon se veprohet në atë drejtim ku është më e lehtë të realizohet sukses, pavarësisht se cila palë humbet, cila fiton, mjafton që për shefin e Grenelit të shkruhet në librin e sukseseve në këtë vit zgjedhjesh në Amerikë; së pesti, tregon se jepen sinjale që mund të permirësohen marrëdheniet me Rusinë në këtë rajon duke i plotësuar tekat dhe interest e Serbisë, dhe Rusisë përmes Serbisë, duke përdorur Kosoven; së gjashti, tregon sesa pak respektohet ajo cka është arritur deri tani në lidhje me Kosovën, përfshirë pavarësinë e saj në tërësinë e saj territoriale dhe se po u sakrifikua dicka, sado e madhe dhe sensitive, pak rëndësi ka, Kosova është shtet i pavarur tashmë; së shtati, ai tregon se statusi i dy palëve nuk ka rëndësi për k\ëtë administratë, ndonëse njera palë është shtet dhe tjetra pale shtet (97 shtete të OKB-së e kanë njohur) ende i panjohur ndërkombëtarisht; së teti, ai tregon, pikë së pari, numrin e ulët të njohjeve, përfshirë tërheqjen nga njohja, në sajë të punës agresive politike të palës serbe (dhe ruse), që interpretohet në statusin e një krahine të atij shteti, sipas kushtetutes serbe; kjo gjë as që merret në konsideratë, lere të bëhet presion nga Grenel, për ta ndaluar urgjentisht atë fushatë; së nënti, ai tregon se pak rëndësi ka për disa nëse humbitet kjo apo ajo pjesë e territorit të Kosoves, mjafton që palët (cilët në emër të palëve?) te bien dakord, pavareeisht se plani i Presidentit Ahtisari as qq e ka marrq në diskutim këtë cështje; se fundi, ai tregon se Kurti, qeveria aktuale e Kosovës, është viktima e kësaj rruge, si dhe sa lehtë është të bësh presion ndaj drejtuesve të Kosovës për të arritur synimet, pavarësisht dëmit që le mbrapa në Kosovë dhe në rajon.
Pyetje: Këtë presion Greneli e ka lidhur me marrëveshjet me Serbinë, me rëndësinë që kanë ato, edhe kur janë të nivelit teknik, etj. Si e shikon këtë?
Përgjigje: Çdo marrëveshje që mund të arrihet ndërmjet sheteteve është gjë e mirë, ajo rrit bashkëpunimin, mirëkuptimin, lidhjet, tregëtinë, etj. Por cdo marreveshje midis Serbise dhe Kosoves për cështje teknike apo më të rëndësishme politike, nuk mund të bëhen pa reciprocitet të plote, si marreveshje ndërshtetërore. Në kupolen e këtyre cështjeve duhet të jetë, pikë së pari, njohja reciproke politike e Kosovës në kufijtë aktuale e të njohur prej mbi 100 vitesh. Pavarësia e Kosovës nuk u dha në kufij të tjerë, apo të tjetërsuar, sic flitet, planifikohet apo ëndërrohet sot nga disa. Ky është një plan i vjeter serb, dhe kjo do të sanksiononte suksesin e Vucicit dhe të asaj politike të vjetër serbe që i ka kushtuar aq shtrenjtë Kosovës. Kjo është themelorja, të tjerat janë derivate të kësaj. Në cdo tip marreveshje Kosova duhet të figurojë me të gjitha simbolet e saj shtetërore, asgjë më shumë, asgjë më pak. Gjithçka tjetër është akrobaci politike, është mbyllje e ndonjë vrime imediate, konjukturale, ndjekje e një politike pa vizion. Nëse dikush i referohet UNMIK-u, apo rëzolutës 1244, ajo rezolutë ka vdekur para se të lindte! Ajo është bërë nga njerëzit në atë kohë për t’ju përgjigjur asaj situate dhe, po nga njerezit, ajo hiqet, nëse nuk hiqet, nuk zbatohet.
Reciprociteti në cdo fazë, në cdo marrëveshje, do tregonte pjekuri të madhe politike, njohje të thelle të interesave të Kosoves, përfshirë ato afatgjata, njohje të teknikave negociuese, qartësi në taktika për të arritur objektivat, njohje të saktë të vijave të kuqe përtej të cilave nuk mund dhe nuk duhet të kalohet. Midis miqsh të vërtete flitet dhe argumentohet hapur, qartë, butë por me vendosmëri, pa luhatje. Naivët veprojnë ndryshe. Amerikanët janë miq të Kosovës, të shqiptareve. Ata nuk kanë ardhur aty për të ikur. Ata nuk do gjejnë mbështetje dhe miqësi më të fortë dhe më të ngushtë në këtë rajon.