Anija amerikane ”USS Mount Whitney”, VanHorn: SHBA mbështet bazën detare në Porto Romano, forcon krahun lindor të NATO-s
Për herë të parë në Porto Romano ka mbërritur një anije luftarake amerikane, anija “USS Mount Whitney”. Ankorimi i anijes së Flotës Ushtarake Amerikane, është një tjetër tregues i faktit se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partnerë strategjikë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në ceremoninë që u mbajt në Durrës, morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, mes të cilëve Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, VanHorn në fjalën e saj i shprehu mirënjohjen Presidentit Bajram Begaj, për partneritetin e ngushtë.
“Vendet tona janë më të forta dhe më të sigurta për shkak të lidhjes sonë historike dhe miqësisë së fortë”, tha ajo. VanHorn solli edhe shembullin e komandantit shqiptaro-amerikan Alban Dervishi, i cili së fundmi mori komandën e anijes së Shteteve të Bashkuara “Pearl Harbor”. “Edhe ai ka shërbyer në anijen e SHBA-së “Mount Whitney”, si një oficer i operacioneve, ndërsa ngjitej në gradat e marinës amerikane. Sot, ai shërben në vijën e parë, në ruajtje të sigurisë në rajonin e Indo-Paqësorit”, tha ajo. VanHorn nënvizoi se Shtetet e Bashkuara mirëpresin plotësisht dhe nxisin zhvillimin e një baze detare në Shqipëri, me kapacitet portual mallrash në ujëra të thella pikërisht këtu në Porto Romano.
”Investimi i Shqipërisë në përforcimin e Porto Romanos do t’i tregojë rajonit dhe të gjithë Europës aftësinë e Shqipërisë për të qenë një drejtuese e vërtetë në Aleancën e NATO-s. Përforcimi i Porto Romanos do të ndihmojë në sigurimin e linjave të komunikimit detar dhe në stabilizimin e transportit të materialeve ushtarake përmes kufijve. Gjithashtu, do të dërgojë një sinjal të qartë për të gjithë ata që kërkojnë të destabilizojnë sigurinë transatlantike: Ne jemi të aftë, ne jemi të bashkuar dhe ne jemi të angazhuar ndaj mbrojtjes kolektive në tokë, në ajër dhe në det”, u shpreh e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Ndër të tjera VanHorn theksoi se përtej përfitimeve të sigurisë, përforcimi i Porto Romanos do të kontribuojë për begatinë më të gjerë ekonomike të Shqipërisë që nga rritja e tregtisë dhe deri te nxitja e projekteve të reja infrastrukturore që krijojnë vende pune. “Presidenti Trump ka theksuar se të gjithë Aleatët duhet të përmbushin angazhimet e tyre dhe të rrisin shpenzimet për mbrojtje për t’u përballur me sfidat e sotme dhe rreziqet e së nesërmes. Zhvillimi i një objekti portual të ujërave të thella në Porto Romano me kalata të sigurta, me mjedise për trajtimin e ngarkesave dhe me lidhje me hekurudhat e rrugët, ndihmon për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje. Kjo do të përmirësojë sigurinë rajonale, do të forcojë krahun lindor të NATO-s dhe do të nxisë rritjen ekonomike”, shtoi ajo më tej.
KOHA JONË SONDAZH

