Arrestohet 30-vjeçari i shpallur në kërkim për aksidentin fatal të vitit 2019 në Lezhë
Policia e Lezhës ka arrestuar një 30-vjeçar të shpallur në kërkim prej gjashtë vitesh, i dënuar për një aksident rrugor me pasojë vdekjen.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është shtetasi me iniciale E. Sh., alias E. N., banues në Lezhë. Ai ishte shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila e ka dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2019, në rrugën dytësore “Lezhë–Shënkoll”, ku 30-vjeçari ka përplasur një motomjet me drejtues shtetasin F. T., i cili ka ndërruar jetë si pasojë e aksidentit.
Pas një periudhe gjashtëvjeçare në kërkim, policia ka bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e të dënuarit, duke ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Lezhës.
Operacioni është pjesë e angazhimit të strukturave të rendit për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.
KOHA JONË SONDAZH

