Atentat në Rinas: Tre qitës dhe një shofer, autorët vijnë nga Nikla
Detaje të reja janë zbuluar mbi atentatin e ndodhur më 11 nëntor 2025 në rrethrrotullimin e Rinasit, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Sheqeri.
Automjeti tip Toyota i përdorur nga autorët kishte targa të vjedhura në Greqi që prej vitit të kaluar. Për shkak të djegies së plotë të mjetit, numri i shasisë nuk është rikuperuar, duke pamundësuar deri më tani verifikimin nëse makina ishte e vjedhur apo jo.
Burimet hetimore konfirmojnë se autorët kanë qenë katër persona: Tre qitës, të armatosur dhe të pozicionuar për sulm të koordinuar dhe një shofer, që ka drejtuar mjetin nga zona e Niklës drejt Rinasit dhe më pas për t’u larguar nga vendngjarja.
Autorët kanë përdorur katër armë zjarri gjatë atentatit. Njëri prej tyre ka qëlluar me dy armë: Kallashnikov nga brenda automjetit dhe Pistoletë pasi ka zbritur nga makina, duke qëlluar drejt mjetit tip Benz ku ndodheshin viktima dhe i plagosuri.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të identifikuar autorët e tjerë dhe për të zbardhur motivacionin e ngjarjes, ndërsa pritet ekspertiza e plotë mbi armët e gjetura në automjetin e djegur.
KOHA JONË SONDAZH

