Avokatët e Vlorës akuzojnë KLGJ-në për kolaps në drejtësi
Dhoma e Avokatisë Vlorë shprehin shqetësimin se në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Apelit Administrativ, janë me mijëra çështje të bllokuara dhe qytetarët presin me vite pa asnjë zgjidhje ligjore. Duke e cilësuar këtë një dështim institucional, Dhoma e Avokatisë në Vlorë ia faturon përgjegjësinë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sipas saj kjo ka sjellë pasoja shkatërruese për aksesin në drejtësi të shumë familjeve dhe bizneseve.
“Mosfunksionimi normal i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe i Gjykatës së Apelit Administrativ i shoqëruar me mungesën dramatike të gjyqtarëve dhe ambienteve në gjykatë (salla gjyqesh), të cilat vijnë nga mosmarrjen e masave konkrete nga KLGJ, ka sjellë pasoja shkatërruese për aksesin në drejtësi. Familje të tëra, biznese, individë që presin prej vitesh vendime për fatin e tyre juridik, janë viktima të një sistemi të bllokuar nga paaftësia dhe keqmenaxhimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor”.
Dhoma e Avokatisë Vlorë thekson se Gjykatat e Apelit janë simbol i kolapsit të sistemit gjyqësor, ku vonesat në shqyrtim janë kthyer në normë dhe përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa harta e re gjyqësore, sipas tyre, ka thelluar krizën, në vend që të sjellë përmirësim.
“1. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe ajo e Apelit Administrativ janë kthyer në simbol të kolapsit të sistemit gjyqësor, ku vonesat nuk janë më përjashtim, por rregull i përditshëm.
2. Këshilli i Lartë Gjyqësor mban përgjegjësi institucionale të plotë, pasi nuk ka ndërmarrë asnjë zgjidhje të prekshme për të garantuar funksionimin minimal të këtyre dy gjykatave.
3. Çdo ditë vonesë në shqyrtimin e çështjeve është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, një dhunim i parimit kushtetues për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe një rënie e besimit të qytetarëve tek drejtësia.
4. Harta gjyqësore e miratuar nga KLGJ, në vend që të sillte riorganizim dhe eficiencë, ka thelluar krizën dhe ka paralizuar më tej sistemin”.
Ata kërkojnë nga KLGJ masa emergjente, përfshirë shtimin e numrit të gjyqtarëve dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.
“Dhoma e Avokatisë Vlorë i bën thirrje publike KLGJ-së të marrë menjëherë masa emergjente për funksionalizimin e plotë të dy Gjykatave të Apelit, duke shtuar numrin e gjyqtarëve dhe duke garantuar shqyrtimin e shpejtë dhe efektiv të çështjeve të mbetura pezull. Çdo vonesë tjetër është e pajustifikueshme dhe vetëm sa thellon dëmin ndaj qytetarëve dhe vetë rendit juridik. Nëse KLGJ vijon të qëndrojë pasiv dhe indiferent, atëherë ky institucion do të mbajë mbi vete barrën e përgjegjësisë historike për kolapsin e drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Dhomës së Avokatisë Vlorë.
KOHA JONË SONDAZH

