Babai i 15‑vjeçarit të vr*rë: Djali nuk kishte asnjë konflikt, vetëm shoqëroi shokët
Adem Boba, babai i 15‑vjeçarit Erjon Boba, i cili humbi jetën në spital ditën e djeshme (4 dhjetor), si pasojë e plagëve të shkaktuara me thikë disa ditë më parë pas një sherri mes adoleshentëve në Durrës, thotë se djali i tij nuk ka qenë i përfshirë në konflikt.
Në një prononcim për mediat, Adem Boba theksoi se djali i tij nuk njihte askënd nga personat e përfshirë në konflikt dhe se nuk kishte asnjë arsye të ishte pjesë e sherrit.
“Djali ka qenë duke shkuar për punë. I kanë dalë disa shokë të vet dhe i kanë thënë që hajde me ne se kemi diçka për të sqaruar. Kështu ka nisur konflikti. Djali im nuk ka pas lidhje me ngjarjen, thjesht i ka dërguar atje dhe më pas do ikte në punë. Nuk i njihte ata personat. Djali ka qenë në shkollë deri në orën 12 dhe më pas është nisur për në punë. Mua më kanë marrë në telefon dhe më kanë thënë hajde se është shumë rëndë në spital. Nuk ka patur asnjë konflikt sepse do më kishte thënë. Ai shkoi thjesht për të shoqëruar ata shokët dhe më pas ka hasur në rezistencën e atyre personave të tjerë dhe ka ndërhyrë për t’i ndarë”, u shpreh ai.
15-vjeçari u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pak pas mesditës së 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt.
KOHA JONË SONDAZH

