Bllokim rruge dhe kaos në trafik, gjoba dy mijë shoferëve në Tiranë. Policia poston pamjet
Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur rreth 2000 masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve të cilët kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Policia njoftoi sot se fokusi i 24 orëve të fundit ishte konstatimi i manovrave që sjellin bllokim të rrugëve dhe kaos në trafik, si dhe rrezikojnë lëvizjen e përdoruesve të rrugës.
Si rezultat i kontrolleve dhe i monitorimit të kryer gjatë këtyre orëve, u vunë rreth 2000 masa administrative, prej tyre: 105 për drejtues automjetesh, të cilët duke mos respektuar radhën, kanë krijuar situata kaotike në trafik dhe kanë rrezikuar lëvizjen e mjeteve të tjera.
Po ashtu, u morën masa për 1261 drejtues mjetesh për qëndrim të gabuar të automjeteve, si një nga shkeljet më problematike, e cila ndikon drejtpërdrejt në krijimin e pengesave në rrugë; 91 për drejtues motomjetesh, që duke qarkulluar pa kaskë mbrojtëse, rrezikonin jetën.
Policia Rrugore apelon edhe një herë për respektim të rregullave të qarkullimit, pasi shkelja e tyre jo vetëm krijon kaos në rrugë, por është shkaku kryesor i ngjarjeve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
KOHA JONË SONDAZH

