Çfarë ndodh nëse shkarkohet Veliaj? Avokati Hoxha: Do të ishte hera e parë nga viti 1994
Avokati Arbër Hoxha thotë se nëse kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, do të ishte një proces jokushtetues dhe do t’i shkelej e drejta e tij e prezumimit të pafajësisë. Hoxha shton se motivi për shkarkimin e tij që pritet të përdoret është mosparaqitja në detyrë për 3 muaj ( në rastin Veliaj është mbi 6 muaj), por avokati theksoi se edhe në këtë rast ka ndodhur jo për neglizhencë, por për shkak se Veliaj ka masë sigurie arrest në burg nga GJKKO për hetimet e SPAK.
”Kryetari i bashkisë nuk është paraqitur në detyrë për shkaqe që nuk lidhen nga vullneti i tij. Në rastin konkret është me masë sigurimi arrest në burg, kërkesa e rrëzuar disa herë me pretendimin për t’u kthyer pranë vendit të punës, në këto kushtet kërkesa e kryeministrit dhe një vendimmarrje shumë e pritshme e anëtarëve të Këshillit të Ministrave është në kushtet e antikushtetueshmërisë. Unë besoj që nga Veliaj dhe mbrojtësit e tij është mëse e pritshme që kjo lloj vendimmarrje mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese”.
Avokati theksoi gjithashtu se nëse ankimohet nga Veliaj vendimi i Këshillit të Ministrave, atëherë do të ngecë edhe procesin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, deri sa të ketë një vendimmarrje përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese. ”Kjo është e hera e parë që ndodhë nga viti 1994 që do shkarkohet një kryetar bashkie për mosparaqitje në punë. Gjykata Kushtetuese, në raste të ngjashme, zgjat gjykimi nga 4-7 muaj. Por besoj se në rastin konkret mund të shprehet edhe për 2 apo 3 muaj, por patjetër që do të marrë kohën e saj”.
KOHA JONË SONDAZH

