Drejt përfundimit ndërtimi i dy urave të reja mbi përroin e Gorrës për fshatrat Matrej dhe Papër Sallak
Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Bashkia Elbasan po shkon drejt përfundimit të ndërtimit të dy urave tip “Beli” mbi Përroin e Gorrës, në shërbim të banorëve të fshatrave Matrej dhe Papër Sallak. Pas vitesh vështirësish, veçanërisht gjatë stinës së reshjeve, ky investim i shumëpritur po bëhet realitet.
Dy urat, me gjatësi 12 metra secila, u vijnë drejtpërdrejt në ndihmë rreth 480 banorëve të zonës, duke garantuar kalim më të sigurt për këmbësorët, nxënësit e shkollave dhe mjetet bujqësore. Ndërtimi i tyre i jep fund izolimit shumëvjeçar dhe rrezikut të vazhdueshëm që shoqëronte lëvizjen në këtë aks.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka theksuar se ky investim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të bashkisë për përmirësimin e infrastrukturës rurale dhe rritjen e sigurisë për komunitetet, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në zgjidhjen e problematikave konkrete të qytetarëve.
Investimi është pritur me vlerësim dhe mirënjohje nga banorët e Matrejve dhe Papër Sallakut, të cilët kanë shprehur falënderime për Bashkinë Elbasan dhe në veçanti për kryetarin Gledian Llatja, për vëmendjen dhe zgjidhjen e një nevoje jetike që u ka munguar prej vitesh.

KOHA JONË SONDAZH

