Pandeli Majko: Pushteti shfaqja më e vjetër, por Fatos Nano doli me titullin njeri
Pandeli Majko teksa ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të liderit historik të PS-së, shkruan se Fatos Nano i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS-së në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri! Ndërsa po ashtu Majko thekson se ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre por Nano nuk ishte kjo kategori!
Postimi i plotë
Fatos Nano ka ndërruar jetë! Përpara se të ishte drejtues i Partisë Socialiste, Fatosi, ishte djali i Maries dhe i Thanasit! Ai ishte një vlla i mirë dhe prind i dhimbsur! Në politikë, Fatos Nano nuk tentoi ti shpëtonte asaj që ishte! Si çdo njeri me pushtet, ai kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në “menu”! Në rrugëtimin e jetës së tij, ai i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri!
Në politikë, pushteti është i shpërndarë mes njerzve që e meritojnë dhe njerzve që e adhurojnë! Fatosi do mbahet mend për rregullat që theu! Ai ishte produkt i kohës që jetoi! Në konkluzionin njerëzor të jetës, të gjithë dështojnë të jenë ata që duan! Ndaj çdo njeri nuk mund të gjykohet vetëm nga gabimet që ka bërë! Fatosi nuk ishte një përjashtim!
Historia ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre! Fatosi nuk ishte kjo kategori! Kundërshtarët e tij, mund të mbështeteshin tek ai për të vepruar me dinjitet. Pushteti, është shfaqja më e vjetër, por edhe irracionale e natyrës njerëzore. Fatosi doli prej saj me titullin “njeri”! Djali i Maries dhe i Thanasit nuk është më! U end pak kohë, midis dy botëve, duke bërë “negociatën” e fundit! Beteja e fundit midis “kush je” me “çfarë je”! Dheu i lehtë Fatos! Qofsh i parajsës!
KOHA JONË SONDAZH

