Prefekti Qendro: 11 makina zjarrfikëse dhe 60 forca policie për neutralizimin e flakëve tek “5 Maji”
Zjarri masiv në magazinat e tregut të rrobave të përdorura në rrugën “5 Maji” në Tiranë ende nuk është neutralizuar ndërsa është kërkuar ndihmë nga zjarrfikësit në Vorë dhe Elbasan.
Operacioni për shuarjen e tyre vijon prej më shumë se një ore. Nga vendngjarja prefekti i Tiranës, Afrim Qendro u shpreh për mediet se shuarja e flakëve është e vështirë për shkak të burimeve të pamjaftueshme.
“Kemi një zjarr masiv te ish-uzina Dinamo. Në një magazinë goxha të madhe po punojnë 11 makina zjarrfikëse dhe 60 forca policie. Komplet efektivi i zjarrfikësve të Tiranës dhe Kamzës janë prezent. Botet e ujit të bashkisë po furnizojnë me ujë. Po mundohemi të ndërpresim përhapjen e flakëve dhe të ruajmë objektin”, tha Qendro.
Prefekti shtoi se magazinat përmbajnë rroba dhe materiale të tjera jo të rrezikshme, por zjarri përbën rrezik për bizneset dhe ambientet përreth. Për të përballuar situatën, është kërkuar ndihmë nga zjarrfikëset e qyteteve të Elbasanit dhe Vorës, si dhe nga zjarrfikësit e ushtrisë.
KOHA JONË SONDAZH

