Shqipëria heq të gjitha “pikat e kuqe” nga Muri i Zgjerimit në Bruksel
Shqipëria do të mbajë më 17 nëntor në Bruksel Konferencën e 7-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, e cila do të shënojë hapjen e grup-kapitullit të fundit në procesin e anëtarësimit: Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni.
Ky zhvillim nënkupton se Shqipëria ka hequr të gjitha “pikat e kuqe” nga Muri i Zgjerimit, një tabelë vizuale e progresit të vendeve kandidate drejt BE-së, e prezantuar nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
“Kur erdha në dhjetor, thuajse gjithçka ishte me të kuqe. Sot, Shqipëria ka ecur kaq shpejt”, deklaroi Kos gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama më 16 shtator në Bruksel.
Konferenca e 7-të do të përfshijë hapjen e pesë kapitujve të fundit: Kapitulli 11 – Bujqësia dhe zhvillimi rural, Kapitulli 12 – Siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria, Kapitulli 13 – Peshkimi dhe akuakultura, Kapitulli 22 – Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore, Kapitulli 33 – Dispozitat financiare dhe buxhetore.
Kjo përmbyll fazën e parë të negociatave, duke i hapur rrugë fazës përfundimtare drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë arritje si “të pamendueshme”, duke theksuar se:
“Të gjithë kapitujt e negociatave janë hapur brenda 12 muajsh – një rekord absolut në procesin e integrimeve europiane.”
Komisionerja Marta Kos, gjatë publikimit të progres-raportit 2025, vlerësoi: “Shqipëria ka bërë progres të paprecedentë që prej konferencës ndërqeveritare në tetor 2024. Ky rezultat është dëshmi e angazhimit politik dhe mbështetjes së gjerë qytetare për integrimin – 91% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE.”
KOHA JONË SONDAZH

