Shqipëria nën ujë, shkollat mbyllen dhe nis evakuimi e banorëve

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së djeshme kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete, duke krijuar një situatë të rënduar në një pjesë të madhe të territorit. Durrësi mbetet qyteti më i prekur nga moti i keq, ku në disa zona niveli i ujit ka arritur deri në 50 cm, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Situata më problematike paraqitet në zonat Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë, të njohura si Durrësi i Ri, ku shumë rrugë janë pothuajse të pakalueshme dhe në disa lagje lëvizja është ndërprerë plotësisht.

Për shkak të gjendjes së krijuar, mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të qytetit, ndërsa Zyra Vendore e Arsimit Durrës ka njoftuar prindërit dhe mësuesit të shmangin çdo lëvizje deri në përmirësimin e situatës. Paralelisht kanë nisur edhe evakuimet e para, ku 8 familje janë detyruar të largohen nga banesat e përmbytura, 3 prej të cilave nga Shijaku. Familjet po sistemohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ku deri më tani janë strehuar tashmë tre familje.

Situata mbetet e vështirë edhe në autostradën Durrës–Tiranë, ku prania e ujit në disa segmente ka shkaktuar bllokime të qarkullimit dhe disa automjete kanë mbetur në mes të rrugës për shkak të defekteve. Edhe në Tiranë, reshjet e dendura të shiut dhe mbushja e rrugëve me ujë kanë sjellë trafik të rënduar dhe vonesa të mëdha për drejtuesit e mjeteve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në qarkun Lezhë, reshjet intensive vijojnë pa ndërprerje, ndërsa sipas Stacionit Meteorologjik Ushtarak të Gjadrit, gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë rreth 96 mm shi. Kjo ka sjellë rritjen e niveleve të lumenjve Drin dhe Mat, si dhe përmbytjen e tokave bujqësore dhe oborreve të banesave në disa zona, duke rritur rrezikun për situata emergjente.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe në Kukës, vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore, ndërsa problematike mbeten një sërë aksesh nacionale, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të infrastrukturës. Për pasojë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e qarkut janë dëmtuar nga dalja e përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona.

Reshje shiu me intensitet të lartë kanë nisur edhe në Fier gjatë paradites së sotme, të shoqëruara me stuhi ere, por deri më tani nuk raportohen përmbytje apo dëme materiale, ndërsa të gjitha hidrovoret ndodhen në gatishmëri për të shmangur çdo problem të mundshëm.

Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, ku aktualisht po shkarkohet një sasi prej rreth 700 metra kub ujë në sekondë, përveç prodhimit, ndërsa e gjithë situata po monitorohet dhe menaxhohet nga specialistët për të shmangur rrezikun e përmbytjeve të tjera.

FOTO: Shqipëria nën ujë!

FOTO: Shqipëria nën ujë!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?