Spiropali në Bruksel: Shqipëria ruan ritmin e përshpejtuar të negociatave me BE
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ndodhet në Bruksel për një seri takimesh të nivelit të lartë me përfaqësues të Komisionit Evropian, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Vizita nisi me një takim përgatitor me ambasadorin e Shqipërisë në Bruksel, Ferit Hoxha, ku u diskutuan prioritetet dhe angazhimet e ardhshme me zyrtarët evropianë. “Asnjë minutë për të humbur, duke ruajtur ritmin e përshpejtuar të negociatave, për mbështetjen e mëtejshme të transformimit të Shqipërisë, sot e çdo ditë një hap më pranë Europës”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministrja pritet të zhvillojë takime me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe kryediplomaten e BE-së, Kaja Kallas, si dhe me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos. Këto takime synojnë të thellojnë bashkëpunimin dhe të përshpejtojnë hapat drejt integrimit të plotë të vendit në familjen evropiane.
Aktualisht, Shqipëria ka hapur 28 nga 33 kapituj të negociatave dhe synon që pesë kapitujt e mbetur të hapen brenda vitit 2025. Objektivi afatmesëm është nisja e mbylljes së kapitujve në vitin 2026, me synimin për përfundimin e procesit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në BE brenda vitit 2030.
KOHA JONË SONDAZH

