“Të paraburgosurit nuk kanë akses real në dosjet gjyqësore”, ish-ministri Beqaj reagim nga burgu: Po shkelen të drejtat

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar përmes avokatit të tij lidhur me atë që e cilëson si një shkelje të vazhdueshme të të drejtës për një proces të rregullt ligjor.

Në një reagim publik, Beqaj ngre shqetësimin se të pandehurit në paraburgim nuk kanë akses real për të lexuar dosjet e tyre gjyqësore, ndonëse proceset penale vijojnë prej vitesh në Gjykatën e Posaçme.

Beqaj thekson se prej më shumë se gjashtë vitesh po zhvillohen dhjetëra procese penale me dosje voluminoze, të cilat Prokuroria e Posaçme ua vë në dispozicion avokatëve në format elektronik (PDF), ndërsa gjykatës edhe në formë të printuar. Sipas tij, i pandehuri i paraburgosur mbetet i përjashtuar nga mundësia për të lexuar dosjen e vet, për shkak se institucionet e vuajtjes së dënimit nuk i mundësojnë përdorimin e një kompjuteri pa akses interneti, edhe nën kushte të kontrolluara.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në deklaratë theksohet se ligji nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, nuk parashikojnë ndalim për përdorimin e një kompjuteri pa internet nga i paraburgosuri. Sipas Beqajt, çdo pretendim i kundërt përbën keqinterpretim të kuadrit ligjor ose shmangie përgjegjësie nga institucionet përkatëse.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai sjell edhe shembuj të qëndrimeve të ndryshme dhe kontradiktore të prokurorëve dhe gjykatësve në seanca të ndryshme gjyqësore, duke theksuar se askush nuk merr përgjegjësi për garantimin e kësaj të drejte themelore. Sipas tij, kërkesat për akses në dosjen elektronike shpesh trajtohen si përpjekje për të vonuar procesin.

Në fund të reagimit, Beqaj ngre dyshimin se kjo situatë mund të synojë lodhjen dhe demoralizimin e të akuzuarve, si dhe uljen e cilësisë së mbrojtjes, duke e kthyer atë në një formalitet. Ai u bën thirrje institucioneve përgjegjëse dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë që të reagojnë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?