Vijon operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e të riut pas aksidentit në Klos
Vijojnë pa ndërprerje operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën e Klosit, pas ngjarjes së rëndë të shënuar mbrëmjen e kaluar, ku një i ri dyshohet se u mor nga rrjedha e lumit Mat. Në terren janë angazhuar polumbarët e Regjimentit të Operacioneve Speciale, si dhe dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se në operacion po marrin pjesë polumbarë të specializuar dhe 22 ushtarakë, të cilët po kontrollojnë çdo segment të zonës ku dyshohet se është zhdukur 30-vjeçari. Kërkimet po zhvillohen me mbështetjen e dronëve dhe pajisjeve të posaçme, duke shtrirë perimetrin nga ura e Darsës në Klos deri në territorin e bashkisë Mat.
Ngjarja lidhet me një aksident rrugor të ndodhur gjatë natës, kur një automjet tip “Audi” me targa angleze ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në përroin e fshatit Dars. Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit, 24-vjeçari A. L., është larguar nga vendngjarja pa njoftuar autoritetet dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit.
Policia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e shoferit pak orë pas aksidentit, ndërsa fati i pasagjerit, shtetasit J. K., mbetet ende i panjohur. Autoritetet vijojnë kërkimet intensive, ndërsa situata konsiderohet kritike për 30-vjeçarin e zhdukur.



KOHA JONË SONDAZH

