
Gjykata e Apelit e Tiranës ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë për Ilir Beqarajn, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas, duke e dënuar me 20 vite burg. Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi përfundimtar që Beqaraj do të vuajë është 12 vite e 8 muaj heqje lirie.
Vrasja e Gentian Bejtjas në Fushë Krujë mbetet një nga ngjarjet më të rënda kriminale të zonës në mars të vitit 2024. Apeli ka ulur masën e dënimit me më shumë se 11 vite krahasuar me vendimin e mëparshëm, para aplikimit të uljes për gjykimin e shkurtuar. Në Gjykatën e Shkallës së Parë, ai ishte dënuar me 24 vite burg.
Prokuroria kishte kërkuar 23 vite burg për Beqarajn, sipas organit të akuzës gjatë gjykimit të çështjes në shkallën e parë. Vendimi i Apelit përbën një ndryshim të ndjeshëm të masës së dënimit për një nga të akuzuarit për këtë ngjarje të rëndë kriminale që tronditi zonën e Fushë-Krujës në mars të vitit 2024.
Beqaraj është i akuzuar për rolin e tij në vrasjen e ish-punonjësit të Policisë së Burgjeve, Gentian Bejtja, i cili u ekzekutua në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk, në Fushë-Krujë. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Beqaraj ka qenë me një makinë në afërsi të vendit ku u vra Bejtja, para dhe pas vrasjes.
Ky fakt, sipas organit të akuzës, provohet edhe nga këqyrja e GPS-së në automjetin që ai kishte marrë me qira. Prokuroria e Tiranës thotë gjithashtu se roli i Beqarajt ka qenë të ndihmojë dhe të largojë autorët nga vendi i ngjarjes. Nga akti i ekspertimit dhe nga profilet e AND-së, në makinën tip GOLF, në të cilën u gjetën gjurmët e Ilir Beqarajt, por edhe të Flodian Plakut, është përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegies së makinës të përdorur në krim.
Për këtë ngjarje, në gusht të këtij viti ra në pranga edhe Flodian Plaku, me dy mbiemra të tjerë (Serjani dhe Mamo), për të cilin vijojnë hetimet. Vrasja e Gentian Bejtjas dyshohet se erdhi për hakmarrje, si pasojë e përplasjeve mes bandave të Fushë-Krujës. Ngjarja u regjistrua pasditen e 15 marsit 2024, kur persona të armatosur hynë në oborrin e banesës së Bejtjas dhe e vranë me kallashnikov.
Sipas rezultateve të ekspertizës, në drejtim të 43-vjeçarit Bejtja është qëlluar nga 3 kallashnikovë. Dyshohet se nga makina “Land Rover Discover” që u ndal te porta e tij zbritën 3 persona, të cilët hynë brenda banesës dhe goditën me breshëri plumbash drejt tij. Në drejtim të tij u qëllua me më shumë se 30 plumba.
Pak minuta pas ngjarjes, në rrugën dytësore në fshatin Hasan, Fushë Krujë, policia ka gjetur një makinë Land Rover me të cilën janë larguar autorët. Gentjan Bejtja ka qenë një emër i njohur për drejtësinë dhe i dyshuar për një seri ngjarjesh të dyshimta në zonën e Fushë-Krujës. Ai i kishte shpëtuar nga dy atentate të mëparshme.
Familja e Bejtjas ishte goditur më herët edhe nga një tjetër ngjarje e rëndë kriminale, ku në një atentat mbeti i vrarë kunati i tij, ndërsa djali i mitur u plagos. Beqaraj njihej si mik i Enver Stafukës dhe ishte personi i fundit që e takoi atë para zhdukjes. Vendimi i Apelit të Tiranës mbyll një fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor për vrasjen e Bejtjas, ndërsa hetimet për Flodian Plakun dhe persona të tjerë të përfshirë në ngjarje vijojnë.
