Zgjedhja e Brahos në krye të SPAK, Bushati: Kryeprokuror i ambasadorëve, jo i dalë nga KLP
Kreu i ri i SPAK-ut është zgjedhur Klodjan Braho me 7 vota pro. Analisti Andi Bushati në emisionin ”Të Paekspozuarit”, thotë se zgjedhja e Brahos ishte e paracaktuar, një proces që ai e cilësoi bufonadë, dhe për të Braho është kryeprokuror i ambasadorëve, jo i dalë nga sistemi dhe nga KLP.
”Unë e kam quajtur ‘kryeprokuror i ambasadorëve’, jo i dalë nga sistemi dhe nga KLP. Mirë këta njerëz që e dinë se s’kanë asgjë në dorë dhe lexojnë disa fjalime, se prokurorin e kanë zgjedhur amerikanët, por të paktën shkoja me shpresën që kjo seancë do të kishte një farë serioziteti.
Më duket shumë qesharake t’i bësh pyetje të atij niveli një personi që ka zgjedhur të merret me këtë punë. Pyetje të tipit ‘a të ka prekur kjo jeta?, ishte një lloj teatraliteti. Ajo që e bëri edhe më qesharake ishte bashkëbisedimi me anëtarët e qeverisë së gjyqësorit, që në një pjesë të madhe i ngjanin pyetjeve që u bëhen konkurrenteve bukuroshe në spektaklet e Miss Albania.
I gjithë procesi ishte i paracaktuar. Ata ofruan një debat bazik, të përciptë, mediokër, që nuk bëri gjë tjetër veçse nxori më në pah nivelin e vërtetë të një institucioni që zbaton vendime të servirura nga lart”.
KOHA JONË SONDAZH

