Arlind Qori: Qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme? Interesat e përbashkëta Rama-Berisha nuk kanë asnjë të përbashkët me interesin publik dhe demokratizimin e shtetit

Nga Arlind Qori

-Ideja se Rama nuk do të ndikojë në përbërjen dhe politikat e qeverisë teknike është gënjeshtër për naivët ose ëndërr më diell si ajo që pret që Forcat Delta amerikane ta arrestojnë Ramën në Surrel-

-Ideja se “qeveria teknike” Rama-Berisha do të prodhojë reforma përparimtare kushtetuese është ëndërr edhe më e çartur se ajo me Delta Force-ën.-

Swiss Digital Desktop Reklama

Duket si peshku në det e tigani në zjarr, por është e nevojshme që përpjekja për rrëzimin e Ramës të shoqërohet me alternativën e ditës më pas.

Swiss Digital Mobile Reklama

A është qeveria teknike, kërkesë e shumë partive “opozitare”, alternativa më e mirë apo duhen kërkuar, siç bën Lëvizja BASHKË, zgjedhje të parakohshme një orë e më parë?
Kërkesa për qeveri teknike nënkupton që Ramës do t’i imponohet edhe rrëzimi, edhe mënyra se si do të dorëzohet. Mirëpo, sado i fortë të jetë presioni politik e shoqëror ndaj Ramës në javët/muajt në vijim, asgjë nuk do ta pengonte Ramën që, i ndjerë në vështirësi, të provonte dy rrugëdalje:

1. Jep dorëheqjen si kryeministër, por zëvendësohet nga një figurë brenda partisë së tij; kësisoj qeveria mbetet vetëm e PS.

2. Nuk jep dorëheqjen, por thërret zgjedhje të parakohshme si provë votëbesimi në raport me shoqërinë.

Kush kërkon qeveri teknike me çdo kusht, duke pretenduar se Rama nuk mund të rrëzohet me zgjedhje nëse ai ose partia e vet qëndrojnë në pushtet, i mbetet të kërcënojë dhe ta çojë në fund kërcënimin për mospjesëmarrje në zgjedhje. E provoi Lulzim Basha më 2019 duke djegur mandatet e deputetëve dhe bojkotuar zgjedhjet lokale. Çdo njeri me mend në kokë e ka kuptuar se kjo taktikë ishte lëvizja politike më e dështuar dhe fuqizuese e pushtetit qendror dhe lokal të Ramës.
Sa më sipër nuk e përjashton mundësinë që, për llogaritë e veta, Rama ta pranojë idenë e qeverisë teknike.

Po çfarë do të thotë qeveri teknike në kushtet e Shqipërisë, në një kontekst institucional ku PS ka 83 + 3 deputetë? Ideja se Rama nuk do të ndikojë në përbërjen dhe politikat e qeverisë teknike është gënjeshtër për naivët ose ëndërr më diell si ajo që pret që Forcat Delta amerikane ta arrestojnë Ramën në Surrel.
Qeveria teknike do të jetë praktikisht ujdi midis Ramës dhe Berishës (dhe çdo bishti politik pranë tyre) për ndarjen e pjesshme të pushtetit. Më e mira që mund të arrijë “opozita” do të ishte një qeveri ku raporti në ekzekutiv do të reflektojë raportin e forcës në parlament (60% me 40% për partinë në pushtet). Një qeveri e tillë, pavarësisht emrave “teknikë”, e shoqëruar me pushtetin e plotë legjislativ të PS, kontrollin e saj mbi administratën (kujtoni sa i bënë derman Lulzim Bashës ministrat më 2017), raportet preferenciale me krimin e organizuar dhe oligarkinë, do të nënkuptonte sërish pushtetin e plotë de facto të Ramës.

Si sot praktikisht, por më keq se sot simbolikisht, pasi do t’i jepte Ramës privilegjin e papërgjegjshmërisë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Nëse sërish fiton, do t’u mbyllë gojën kritikëve: “Ju munda me rregullat tuaja. Çfarë doni më?!”
Ideja se “qeveria teknike” Rama-Berisha do të prodhojë reforma përparimtare kushtetuese është ëndërr edhe më e çartur se ajo me Delta Force-ën. Pra t’u varësh ujqve mëlçitë në qafë dhe të presësh që të mos i hanë. Interesat e përbashkëta Rama-Berisha nuk kanë asnjë të përbashkët me interesin publik dhe demokratizimin e shtetit. Bashkë ata – në emër të integrimit evropian a ndonjë përralle tjetër – do të qeverisin disa vjet. Fillimisht do të vjedhin bashkë edhe si vëllezër, edhe si konkurrentë (kush vjedh më shumë në perspektivën e ndeshjes në zgjedhjet e ardhshme). Së dyti, do të qepin ndryshime kushtetuese që kufizojnë kompetencat e institucioneve të drejtësisë dhe imponojnë një sistem dypartiak (duke vendosur model përfaqësimi maxhoritar alla-britaniko-amerikan, ose duke ruajtur modelin proporcional por me një prag shumë të lartë për t’u përfaqësuar në parlament).
Kërkesa për qeveri teknike përftohet edhe nga impotenca politike të përhapur në shumë pjesë të “opozitës” shqiptare. Rama ka krijuar mitin e pathyeshmërisë, aq sa derëzinjve të partive të tjera u duket sikur sa herë të bëhen zgjedhje, pavarësisht kushteve sociale, Rama do të fitojë gjithnjë e më thellë.
Përveçse disfatist, ky këndvështrim është edhe i pasaktë.

Pushteti ka karakter relacional dhe varet edhe nga faktorë jashtë skenës partiake. Fillimisht, nga legjitimiteti, pra sa të pranon shoqëria. Skandalet korruptive i kanë nxjerrë ujërat e zeza në rrugë. Fakti që i dinim këto gjëra nuk është përcaktues. Ne e dimë që ujërat e zeza janë poshtë nesh, por kur shpërthejnë në rrugë zëmë hundën me dorë. Dalja në sipërfaqe e akteve korruptive dhe marrëdhënia e pushtetmbajtësve politikë me krimin e organizuar ia bën të pamundur qytetarit mesatar që të kthejë kokën nga ana tjetër, të bëjë sikur nuk po ndodh gjë apo sikur kjo që po ndodh është normale. Ka më shumë turp nga vetja dhe nga bashkëqytetari.

Shtrëngimi i lakut të institucioneve të drejtësisë ndaj bashkëpunëtorëve të Ramës, ka gjasë edhe ndaj Ramës vetë në të ardhmen, e dobëson këtë të fundit. Kur njerëzit mendojnë se ti mund të përfundosh i marrë në pyetje nga SPAK-u për orë të tëra, në mos i arrestuar në një skenar optimist, hija e pushtetit sot është shumë më e dobët. Partnerët e Ramës në nëntokën kriminale dhe oligarkinë ekonomike do të çoroditen përkohësisht dhe do të kërkojnë partnerë të tjerë në spektrin partiak (ka boll zuzarë që mezi e presin një “fat” të tillë), duke e dobësuar kësisoj Ramën. Të pakënaqur brenda PS do të përfitojnë nga rasti për të vënë shishen e qumështit në radhën e trashëgimisë së pushtetit brenda partisë.

Por është edhe faktori ndërkombëtar. Dukshëm amerikanët janë shumë më të ftohtë se më parë me qeverinë. Deklarata më të hapëta thumbuese mund të cenojnë imazhin e Ramës si bir për shpirt i perëndimorëve. Po ashtu, këmbëngulja për të mos dorëzuar Ballukun dhe për t’i bërë rezistencë SPAK-ut mund të sjellë distancim dhe kritika edhe nga përfaqësuesit e BE. Në kushtet ku i vetmi premtim madhor i Ramës mbetet integrimi i shpejtë në BE, kjo do të ishte goditje e rëndë për të.
Rama sot është më i dobët se kurrë dhe nuk i duhet lënë kohë të rikuperojë në kuadrin e bashkëqeverisjes me PD. Prandaj kërkesa për zgjedhje të parakohshme është imperative. Pavarësisht padrejtësive të Kodit Zgjedhor – të cilat do të mbeten të tilla sa kohë nuk ka një shumicë të re qeverisëse për ta ndryshuar atë – pavarësisht qenies në pushtet të Ramës, zgjedhjet janë shansi më i mirë për ta rrëzuar përfundimisht atë dhe bashkë me të për t’i dhënë një shkelm të fortë ngrehinës së sistemit të vjetër partiak.
Afërmendsh, edhe ky shteg bart rreziqet e veta, por gjithsesi është mjaft më shpresëdhënës dhe produktiv se të ëndërrosh me sy hapur. Domosdo, ky nuk mund të jetë opsion për figura të diskretituara politike si Sali Berisha apo për axhaminj që fshehin karagjozllëkun e tyre politik duke sharë popullin. Populli shqiptar është i pjekur për ndryshim. Fitorja e Ramës në maj ishte si e Pirros, një fitore e fundit dhe e marrë më shumë me pahir se me hir, nga një shoqëri që ende e duroi kërcënimin dhe iu nënshtrua logjikës së krahasimit midis dy të këqijave (Rama vs Berisha). Mirëpo Berisha nuk është dhe nuk ka pse të konsiderohet faktori i vetëm opozitar. Madje as edhe më i rëndësishmi nëse e mendojmë politikën lëvizje përmes kontradiktave.
Lëvizja BASHKË ka potencialin më të madh për t’u shndërruar në alternativën më të rëndësishme politike për disa arsye:

1. Reputacioni i lartë moral në sytë e qytetarëve, çka e pranojnë mbi dhe nën zë edhe kundërshtarët tanë.

2. Guximi politik për t’iu kundërvënë edhe qeverisë, edhe sistemit të kalbur partiak, edhe oligarkisë ekonomike. Shenjë e një force të mirëfilltë antisistemore, ku me sistem kuptohet korrupsioni dhe dallaveret e gjithanshme.

3. Fryma e aktivizmit e kalitur në organizim shumëvjeçar, protesta të panumërta dhe marrëdhënie organike me shtresat kryesore shoqërore.

4. Idetë e sistemuara në program dhe kapaciteti politik e intelektual për të qeverisur.
Sa më sipër ka kuptim vetëm nëse kusht i mendimit dhe veprimit politik është besimi te populli, te potenciali që ka çdo qytetar i nëpërkëmbur për t’u bërë bashkë dhe shndërruar në shumësi

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?