Ben Blushi rikthehet në Elbasan: “Shumë nga paralajmërimet e mia ndodhën”! Mesazh i kriptuar për kë?!
Ben Blushi rikthehet aty ku u sulmua në vitin 2016, ja mesazhi për qytetarët. (kliko te video poshtë)
Ish-deputeti, gazetari dhe shkrimtari Ben Blushi rikthehet në Elbasan për promovimin e romanit të tij më të fundit, “Jam mysliman”. Përtej ftesës letrare, mesazhi që ai ka publikuar në rrjetet sociale ka ngjallur interes, pasi rikthen në vëmendje jo vetëm lidhjen e tij me qytetin, por edhe përplasjet e forta politike që ka pasur aty vite më parë.
Por mesazhi i Blushit rrok edhe hallet e sotme që ka PS. Ai kujton, por indirekt edhe shigjeton.
Blushi kujton se në vitin 2013 kryesoi listën e Partisë Socialiste në Elbasan, por thekson se shumë nga shqetësimet që ngriti në atë periudhë, sipas tij, u vërtetuan me kalimin e kohës.
“Nga Elbasani kam kujtime shumë të bukura, por, për fat të keq, edhe të hidhura. Në vitin 2013 unë kam kryesuar listën e Partisë Socialiste, por që atëherë gjërat ndryshuan dhe, për fat të keq, shumë nga paralajmërimet e mia ndodhën. Në Elbasan ndodhën gjëra të papëlqyeshme. Megjithatë, unë nuk kthehem me asnjë lloj inati aty. Kthehem për të takuar miq të vjetër, për të folur për letërsinë dhe për kohën që jetojmë”, shprehet ai.
Në videon e publikuar, Blushi flet hapur edhe për presionet që, sipas tij, kanë shoqëruar në të kaluarën takimet e tij publike, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga askush.
“Shpresoj shumë që askush të mos ketë frikë të vijë në takimet e mia, pavarësisht se e di që, si gjithmonë në këto raste, ka intimidime të vogla. Mos i dëgjoni ata që ju thonë: ‘Mos shkoni në takim me Ben Blushin’. Hajdeni të flasim për letërsinë, për romanin tim ‘Jam mysliman’, i cili ka shkaktuar shumë debat, por sigurisht edhe për ngjarjet që ndodhin sot në Shqipëri. Sepse është koha për të folur dhe për të biseduar me miq të mirë”, deklaron ai.
Shkrimtari e lidh takimin e nesërm jo vetëm me librin e tij të ri, por edhe me nevojën për dialog dhe diskutim në një kohë që, sipas tij, e kërkon këtë më shumë se kurrë.
“Jam i bindur se do të vini në takim, në orën 18:00, te hoteli ‘Skampa’. Ju pres të gjithëve pa asnjë frikë dhe pa asnjë merak. Takimi është i hapur, nuk ka asnjë ftesë dhe asnjë pengesë”, thotë Blushi.
Por pjesa më domethënëse e mesazhit të tij është ajo ku kthehet pas në kohë dhe kujton periudhën kur aktivitetet e tij në Elbasan shoqëroheshin me tensione dhe kundërshti.
“Njerëzit që na kanë penguar të takohemi dikur nuk janë më. Ata që grisnin librat e mi në Elbasan nuk janë më. Libraritë nuk kanë më frikë t’i shesin librat e mi dhe besoj se do të kemi një takim shumë të bukur, një takim letrar dhe miqësor”, shprehet ai.
Fjalët e Blushit rikthejnë në kujtesë incidentin e vitit 2016, kur ai u përball me një nga momentet më të tensionuara të karrierës së tij politike. Gjatë një takimi të Partisë Socialiste në Elbasan, ai u fishkëllye dhe u sulmua verbalisht nga persona të pranishëm në sallë. Sipas dëshmive të kohës, një person iu afrua duke e kërcënuar, ndërsa ndërhyrja e të pranishmëve shmangu përshkallëzimin e situatës.
Pas atij episodi, vetë Blushi deklaroi se në sallë ishte zhvilluar “një gjyq jo vetëm ndaj një njeriu, por edhe ndaj librave të tij”.
Gati një dekadë më vonë, Ben Blushi rikthehet në të njëjtin qytet, jo për një debat politik, por për të prezantuar romanin e tij më të fundit dhe për të zhvilluar një takim të hapur me lexuesit.
Por përherë kur shfaqet Ben Blushi ka një paralajmërim!
KOHA JONË SONDAZH

