Autokritika e kryeministrit për nivelin e deputetëve
Kryeministri Rama ka bërë një autokritikë publike dje në kongres për disa deputetë që i ka zgjedhur PS-ja, natyrisht ai. Inati me ata që nuk e justifikuan besimin e tij dhe të votuesve i dukej në ballë, aqsa ishte gati t’i shqyente mu në kongres. E verteta është e hidhur, por më mirë kur e pranon vetë, sepse realisht disa deputetë të PS-së janë një turp për gjithë atë armatë 800 mijë votuesish në mbarë vendin.
Nëse e shikon inati i tij nuk ka mbaruar as me fjalën në Kongres, porse e ka ripostuar atë fragment disa herë në facebook e kudo. Pra për deputetët zhgënjyes e pa nivel.
Në të vertetë autokritika e Edi Ramës për deputetët e tij në një farë mënyre ia vlen të shikohet edhe nga kryetarët e partive të tjera kryesore, të cilët, edhe ata kanë nivel mediokër deputetësh. Nuk duhet të fitohen zgjedhjet me deputetë të fortë, që kanë muskuj por jo mendje; me deputetë që nuk dijnë të shkruajnë apo flasin; me deputetë që kanë blerë nga dy apo tre diploma në Tetovë apo Prishtinë.
Isha një ditë në Shkodër, dhe rastësisht takova një profesor, ish- i dënuar në kohën e Enverit. Ai tha tha se “me Benetin bani mirë Rama, se është jo vetëm administrator i mirë, por ka një barrë me kulturë. Asht djali i Bahri Becit. Por shiko deputetët e sotëm, janë me marrë vajin e me qa; kishte Shkodra para 100 viteve deputetë si Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishtën, dom Ndre Mjeda, Riza Dani, etj. Shikoji këta sot dhe fol ti!’./Jonida Halili/