Avionët ngecin nga bora në aeroportin e Mynih në Gjermani! (foto)
Mot i keq nga bora në Gjermani.
Avionet nuk duken në pistë nga bora. Më shumë se 760 fluturime u anuluan në aeroportin e Mynihut të shtunën për shkak të borës së madhe, e cila ka goditur pjesën më të madhe të Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës . Pas njoftimit fillimisht për pezullimin e trafikut ajror deri në mesditën e së shtunës, aeroporti më pas njoftoi se fluturimet do të anulohen deri në orën 06:00 të së dielës.
Ndërkohë, për shkak të borës janë pezulluar edhe shërbimet e autobusëve dhe tramvajit dhe disa shërbime të trenave në Mynih. Stacioni kryesor i trenit i Mynihut u mbyll për të ardhurit, ndërsa shërbimet ndërqytetëse u pezulluan plotësisht.
Hekurudhat gjermane paralajmëruan se trafiku i trenave do të “ndikohet rëndë” deri të hënën.
Në të njëjtën kohë, një numër i madh udhëtarësh u bllokuan në stacionin qendror të Mynihut.
Policia të shtunën u kërkoi banorëve të Mynihut të mos përdorin makinat e tyre nëse nuk është absolutisht e nevojshme. Në disa zona të Bavarisë jugore, banorëve iu kërkua të mos largoheshin fare nga shtëpitë e tyre, për shkak të kushteve të motit, raportoi CNN.