Basha: Zgjedhje ose protesta kundër Ramës

Pas një muaji tryeza politike mes PS dhe opozitës për reformën zgjedhore duhet të ketë dhënë një produkt final. Fiks më 15 mars, sipas asaj çfarë deklaron PS dhe opozita, do të jetë përmbushur një kërkesë e ndërkombëtarëve dhe një nga kushtet e Bundestagut për krizën politike në Shqipëri. Për opozitën, me përfundimin e ndryshimeve në kodin elektoral dhe shtimin e garancive për mos vjedhjen e votave hapet rruga për zgjedhjet të parakohshme. Kjo është dhe arsyeje për të cilën opozita thotë se ka hequr dorë nga protestat, retorika e ashpër dhe aksioni i fortë opozitar kundër një qeverie që ka tejkaluar çdo imagjinatë në shkeljet ligjore. Ndërkombëtarët kërkojnë nga të dy palët që të miratojnë pa vonesa ndryshimet ligjore, por pa dhënë detaje se çfarë efektesh ka arnimi i Kodit Zgjedhor me një qeveri që nuk pyet më për ligje dhe për Kushtetutën. Por projekti i opozitës për zgjedhjet e parakohshme është kundërshtuar që në fillim nga qëndrimet që mban sot qeveria dhe Partia Socialiste. Edi Rama nuk harron kurrë të thotë se zgjedhjet janë në vitin 2021. Ndërsa vartësit e tij, jo pa ironi, i kujtojnë opozitës se “zgjedhjet e parakohshme që nuk i mori dot me molotov, nuk mund t’i marrë në tryezën politike të reformës zgjedhore”.  Në këtë mënyrë, me apo pa Kod Zgjedhor për Partinë Socialiste nuk ka ndonjë ndryshim në qeverisje edhe pse zgjedhjet vendore janë të paligjshme dhe zgjedhjet parlamentare janë domosdoshmëri për zgjidhjen e krizës së rëndë politike. Nga qëndrimet që po mban qeveria duket se historia me reformë zgjedhore është vetëm një sebep për të fituar kohë. Ndaj këtij refreni të PS-së për mos mbajtjen e zgjedhjeve, Lulzim Basha ka reaguar dje për herë të parë. I pyetur pas takimit me Komisionin e Venecias se si do shkohet në zgjedhje të parakohshme, kur PS thotë se zgjedhjet janë vetëm në vitin 2021, Lulzim Basha paralajmëroi reagim me anë të protestave dhe nisjes së tubimeve mbarëkombëtare. “Nëse pala tjetër do të vazhdojë të përdorë në mënyrë të paligjshme pushtetin e paligjshëm, paratë e pista të krimit të organizuar, dhe të vendosë interesat e pushtetit të vet dhe të atyre me të cilët ka ardhur në pushtet, kriminelëve dhe oligarkëve, kundër interesave të shqiptarëve, atëherë opozita bashkë me qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqërie europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin”,- tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Realisht qeveria po vazhdon të përdor pushtetin për të gjitha ato që thotë kreu i opozitës. Po e përdor pushtetin jo vetëm për t’u pasuruar, por edhe për të kapur çdo institucion, për të shpëtuar nga përgjegjësitë ligjore dhe për të garantuar një qeverisje më të gjatë. Teksa opozita dhe qeveria janë ulur në bisedime dhe flasin për detaje teknike të Kodit Zgjedhor, Rilindja ka vijuar me oreks më të madh të kap institucionet e drejtësisë, të përlajë tenderat që kanë mbetur dhe të bllokojë çdo institucion që mund t’i prishë punë.  Sigurisht nuk është gabim ulja në tryezën e reformës zgjedhore, por ulja me shpresë së Edi Rama do t’a lërë pushtetin në tavolinë mund të bëjë që opozita të ndodhet në 15 mars në pikën ku ishte shumë muaj më parë. Nuk dihet se për çfarë kanë rënë dakord qeveria, opozita dhe ndërkombëtarët para uljes në tavolinë, por Rilindja po vazhdon të keqqeverisë, të shkel ligjet dhe të gllabëroj pushtete njëlloj si më parë. I vetmi ndryshim është se tashmë Rilindja po pretendon se ka bërë dhe lëshime të mëdha politike duke u ulur në tryezë me opozitën, ndërkohë që kriza vijon njëlloj si më parë dhe keqqeverisja po ashtu.

LSI nuk ndryshon mendimin e saj, duke insistuar se kryeministri ikën vetëm me forcën e protestave popullore./M.Xh/

 

 

SHKARKO APP