Ben Manaj: Video për Parashqevi Simakun, një turp!

Nga Ben Manaj (Londër)

Po them edhe dy fjalë për hipokrizinë ndaj Parashqevisë (Simakut).

E kam takuar diku nga fundi i viteve ‘80-të, në mos gaboj, në kohen e përgatitjeve që bëheshin për Festivalin e Këngës në RTVSH.

Unë punoja në Redaksinë e Përendimit në Radion e Jashtme në katin e tretë të Radio Tiranes, që nga korridoret me xhama të katit shihje sheshin e brendshëm të godines që të çonte në sallën ku bëheshin përgatitjet për Festivalin.

Një ditë të bukur Parashqevia vjen në zyrën tonë dhe kemi ndejtur disa orë me të në zyrë dhe më pas në kafenenë e RTVSH.

Çfarë bukurie, çfarë personaliteti, çfarë embëlsie tunduese ishte, sa garipe gocë dhe aq atipike për kohën!

Nuk kishte sesi të mos afeksionoheshe pas personalitetit, pse jo edhe sharmit dhe fizikut të saj si njeri, si shumica e johipokritëve, edhe pse e dije që ishte nëna e legjendës urbane dhe femra më e lypur e kohës!

Kaq, për këtë anë, se si këngetare ishte ajo që ishte, andaj ka lënë aq gjurmë.

Nuk e takova më pas asaj dite çuditërisht, ndryshe nga Rik Ndoci  të cilit, kur fitoi festivalin i kam dhënë kollaren time dhe atë veshi në natën finale dhe fituese.

Sot Parashqevia është në hallin e saj amerikan!

Ashtu si në Shqipërinë e fundkomunizmit ajo nuk lyp asgjë!

Ajo është në hallin dhe sëkelldinë e saj private, fatkeqe, por nuk ka zgjedhur të vetmëshirohet dhe nuk kërkon asnjë ndihmë, askujt!

Nëse atë nuk e ndihmojnë ata që i ka pasur më të afërt, në Amerikë a Shqiperi, për faj të saj apo atyre që dukshem nuk e kanë dashur asnjëherë, sa ç’mund të duan siç ndodh rëndom një qen a një mace, dhe turpi është i tyre që e kanë lenë aty ku është dhe nuk iu bënë ombrellë nga rrebeshi i fatit dhe hipokrizisë që vjen nga Tirana, ku shumica as e kanë njohur e as ndoshta nuk  ia dinë karrierën se janë produkte te muzikës se Noizit & Co.

Ajo s’ka kërkuar ndihmë as nga individë, as nga shteti shqiptar, pasi ende ka dinjitetin e vetë, sado të sakatuar dhe poshtëruar.

Ajo jeton në një vend që shqiptarët e duan me shumë se Shqipërinë dhe ai vend, ka sistemet e veta të ndihmes sociale.

Ndërkohë moralistë që u duket vetja “Elon Musk” të vendit më të varfer të Evropës, hiqen sikur janë të punësuar në “gofundme” dhe janë filantropet dhe fundraiser-at më të mëdhenj të globit! Parashqevisë vetëm ia kanë lypur në jetë, ajo kurrë nuk ka lypur diçka dhe askujt, e kur ajo ta bëjë, atëhere keni të drejtë të bëni barkdjegurin për të!

As atë video nuk e ka shpërndarë dhe nuk besoj se e ka inicuar ajo.

Gjithë barkprerja për të është poshtërimi më i madh publik që i bëhet asaj dhe trashegimisë së vet artistike apo qoftë edhe përzgjedhjes së saj për të jetuar më tej atë ledh që i ka ngelur nga jeta.

Çfarëdo fondi që mund të grumbullohet nga snobllëku shqiptar, nuk ka për ta nxjerrë në breg Parashqevinë, pasi nuk është çështje parash, sesa tronditje psikologjike fatkeqe apo edhe përzgjedhje e pafuqishme, apo edhe e vetëdijshme që ajo e di ekskluzivisht, e diktuar nga kjo gjendje, si shumë të tjerë në Perendim, madje edhe në Amerikën e pasur.

SHKARKO APP