Berisha: Asnjë kompromis me Ramën, duhet rrëzuar!

-A është kjo deklaratë e tij si një reagim ndaj hezitimit opozitar të deritanishëm, të cilët nuk e rrëzuan dot vitin e kaluar kryeministrin Rama, siç premtuan, apo mbetet paralajmërim për mosulje, këtë vit, në pazare me qeverinë? 

-Ish-kryeministri lëshon thirrjen: Personalisht nuk do firmosja asnjë marrëveshje me Edi Ramën. Ai ka moralin e horrit, sepse pas paktit të vitit 2017 u përpoq ta paraqiste liderin e opozitës si vartësin e tij. Edi Rama rrëzohet vetëm më revolucion, ndaj opozita të mos rrijë por të ngrihet kundër kryeministrit.

Opozita ka nisur prej një muaji negociatat me qeverinë për hartimin e reformës elektorale, me synimin që pas miratimit të Kodi të ri Zgjedhore vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Me argumentin e uljes në tavolinë për reformën opozita ka zbutur tonet dhe ka hequr dorë nga protestat dhe reagimet e forta kundër qeverisë, duke shpresuar në një betejë të afërt me vota popullore kundër qeverisë “Rama”. Por kjo strategji e opozitës që kërkon largimin e Edi Ramës me vota, kur qeveria i vjedh prapë, indirekt nuk mbështetet nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në një intervistë dhënë dje për “Neës 24”, Berisha nuk është kundër bisedimeve opozitë-qeveri dhe i quan të nevojshme, por thekson se për largimin e Edi Ramës nga pushteti ka vetëm një mënyrë: Revolucion. Berisha argumenton se opozita ka përballë një qeveri që mbahet në këmbë me narko-trafikun dhe krimin dhe çdo proces elektoral, në këto kushte, do të manipulohet nga ana e kryeministrit Edi Rama. “Sot krimi është më i fortë se kurrë, dhe opozita ka bërë një betejë të jashtëzakonshme, ka sakrifikuar shumë. Sot Edi Rama është më monist se kurrë në pushtet, po kjo nuk do të thotë se është i pathyeshëm. Ai është absolutisht si një tigër letre, problemi është se Edi Rama e faktoi që ia mbath, opozita duhet të gjejë mekanizmin që kur t’ia mbathë të mos kthehet dot. Vetëm revolucioni është zgjidhje në këtë vend”,- thotë ish-kryeministri Sali Berisha. I pyetur nëse opozita fiton me vota kundër Ramës, ish-lideri i PD-së, Berisha shprehet se me këtë kryeministër nuk ka zgjedhje të lira. “Absolutisht me votë jo, sepse nuk voton kurrë. Ai largohet me revolucion, nuk ka forcë në botë që mund t’i rezistojë. Revolucioni sot është më i mundur se kurrë. Sa më monist bëhet Edi Rama, aq më i mundshëm është revolucioni dhe fitorja e tij”,- shprehet ish-kryeministri.

Uljen në tavolinë për reformën zgjedhore, Berisha e argumenton si një kërkesë të ndërkombëtarëve ndaj opozitës, e cila nuk mund të refuzohej, pavarësisht kushteve në të cilat e ka futur vendin Edi Rama. Nga ana tjetër, ish-kreu i qeverisë së PD-së paralajmëron drejtuesit e opozitës së çdo marrëveshje me Edi Ramën është e destinuar të dështojë për shkak të mëkateve të kreut të qeverisë. Berisha thotë se ai personalisht nuk do të nënshkruante asnjë marrëveshjen me Edi Ramën dhe si dëshmi të këtij qëndrimi solli shkeljen e marrëveshjes së vitit 2017 mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Sipas Berishës, Edi Rama e keqpërdori besimin e PD dhe tentoi ta parqiste Lulzim Bashën si vartës së tij dhe jo si një palë të marrëveshjes. Deklarata e Berishës për paktin e vitit 2017 vjen dhe si një paralajmërim për krerët e opozitës që janë ulur në tryezën e radhës së bisedimeve me përfaqësuesit e Edi Ramës. Duke hedhur poshtë çdo formë kompromisi me Edi Ramën, Berisha këmbëngulë se mënyra e vetme sesi opozita mund të ndikojë në largimin e qeverisë është revolucioni. Për këtë qëllim ai përmend modelet e ndryshime të reagimit qytetarë që kanë çuar në largimin e qeverive të korruptuara në disa vende të ndryshme të botës. Berisha thotë se opozita nuk mund të humbasë kohë, për duhet të reagojë më protesta dhe revolucion si ato në Bolivi, Armeni, Rumani dhe në Maqedoninë e Veriut, ku qeveritë e korruptuara u larguan. “Opozita nuk duhet të humbasë kohë, por të hidhet në një betejë deri në përmbysjen përfundimtare të këtij bosi të mafias shqiptare, siç po e quajnë tani në Europë”,- shprehet ish-kryeministri Berisha.

Thirrjet e Sali Berishës për reagim të fortë vijnë në kohën kur opozita ka lënë çdo vendimmarrje deri në datën 15 mars. Kjo datë është përcaktuar si afati i fundit për miratimin e reformës zgjedhore.

A është kjo deklaratë e tij si një reagim ndaj hezitimit opozitar të deritanishëm, të cilët nuk e rrëzuan dot vitin e kaluar kryeministrin Rama, siç premtuan apo mbetet paralajmërim për mos ulje në pazare me qeverinë?

/Mili Xhani/

 

 

SHKARKO APP