Berisha dënohet, PD-ja revoltohet
Byroja e Kuvendit përjashtoi dje nga punimet e Parlamentit për 10 ditë ish-kryeministrin Sali Berisha. Masa ndëshkuese u mor për deklaratat që Berisha bëri të enjten në seancë ku kërkoi armatosjen e qytetarëve. Ky është vendimi dytë që jepet në dy javë për deputetin Sali Berisha. Në datën 13 prill Byroja i dha një masë më të butë, vetëm duke i hequr vërejtje për fjalorin e përdorur ndaj deputetit socialist Erjon Braçe.
Por ndryshe nga dy javë më parë këtë herë anëtarët e Byrosë kanë vendosur që ish-kryeministri të marrë masën më të rëndë. Sipas Rregullores së Parlamentit, përjashtim për 10 ditë është masa më ekstreme për një deputetë. Por duket se ndëshkimi ndaj Berishës nuk do të mjaftojë më kaq.
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat kërkoi nga Prokuroria të nis hetimet ndaj ish-kreut të qeverisë për thirrjet antikushtetuse që bëri në seancë. Në deklaratën e Ramës, kishte dhe rezerva për Prokurorinë, kur tha se në një vend normal Berisha do ishte tashmë para prokurorëve. “Ka disa arsye për të hetuar Sali Berishën si ish-kryeministër i vendit. Kjo e thirrjes së popullit për t’u armatosur, është vetëm një arsye më shumë. Në një vend normal, sot tellalli i kryengritjes së armatosur, do të ishte përpara prokurorëve. Kështu e thotë edhe ligji ynë i shkruar normalisht, për një vend normal”,- deklaroi Rama. Deklarata e Ramës u bë para vendimit të Byrosë dhe duket se ishte dhe një sinjal për vendimin që duhet të merrte institucioni i Kuvendit. Pas vendimit të Byrosë, Nënkryetari Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se është koha që prokuroria të vihet nën hetim. Sipas tij, deklarata e Berishës ishte e mirë menduar dhe synon destabizlimin e vendit. Sipas tij, Kuvendi e dha verdiktin duke mundësuar përjashtimin e Berisha. “Pjesa tjetër që ka të bëjë me shkeljet penale duhet të jenë objekt i hetimit nga prokuroria”,- tha Balla.
Dënimi i liderit historik të Partisë Demokratike ka sjellë reagimin e ashpër të opozitës. Anëtari i Byrosë së Kuvendit, Edmond Spaho, i cili ishte i vetmi që votoi kundër përjashtimit tha se ndëshkimi i Berishës është një hakmarrje politike. Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat, e cilësoi ndëshkimin dhe komentet e ashpra për deklaratën e Berishës, si përpjekje për të larguar vëmendjen nga arrestimi i Emiljano Shullazit. Madje, Basha nuk e quajti të gabuar qëndrimin e Berishës për armatosjen e qytetarëve. Ai tha se armatosja nuk është as nismë dhe as qëndrim i Partisë Demokratike, por një propozim për të gjendjen e krimit sot në vend. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka ishte më i ashpër. Ai tha se ish-kryeministri Berisha propozoi një ligj që funksionon në Amerikë dhe nuk kishte asgjë të gabuar. Ndërsa shtoi se nëse Edi Rama dhe moazhoranca do të përdorin bandat edhe në zgjedhje, atëherë (Rama) “ do të përballet me atë që nuk ja pret mendja”. Ndërsa gjatë mbrëmjes, seli blu kaloi në kërcënim të hapur për përjashtimin e Berishës. Në një deklaratë për mediat Partia Demokratike e cilëson dënimin e Berishës, njëlloj si dënimet politike të Byrosë së kohës së komunizmit. Njëlloj si në një ultimatum, PD kërkon anulimin e vendimit për ish-kryeministrin duke paralajmëruar se “PD dhe grupi i saj parlamentar do të marrin vendimet e duhura për t’iu përgjigjur këtij arbitrariteti dhe padrejtësie”.
Ky është sinjali i parë i PD-së së përjashtimi i ish-kryetarit nuk do të kalojë vetëm me deklarata. Dy javë më parë kur diskutohej përjashtimi i tij nga Kuvendit, një prej skenarëve ishte bojkoti i seancave dhe bllokimi i punimeve. Tashmë që vendimi është bërë fakt i kryer pritet që opozita të kalojë në aksion.