Berisha: Do ta shporrim me çdo mënyrë Ramën nga pushteti. Kreu aferën më të madhe korruptive
Pas skandalit të ish-zyrtarit të lartë të FBI, McGonigal, i cili akuzohet se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare, kreu i PD, Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama.
Berisha u shpreh se largimi i Ramës është objektivi kryesor momental i opozitës, ndërsa i bëri thirrje të gjithë demokratëve që të mobilizohen për betejën e fundit.
Sipas Berishës, Rama mobilizoi kundër Partisë Demokratike agjenturën ruse nën petkun e organizatës më të fuqishme FBI.
“Jam sot këtu para jush për të kërkuar largimin e menjëhershëm, dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit. Jam sonte këtu për të deklaruar se për PD, popullin opozitar, ky objektiv është absolut dhe i panegociueshëm.
Prevalon mbi çdo gjë tjetër. Pa largimin e këtij armiku të egër të lirisë, identitetit dhe interesit të shqiptarëve nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë zhvillim tjetër.
Demokratët dhe demokratet kudo që janë në Shqipëri dhe jashtë saj duhet të mobilizohen për betejën finale me këtë kalbësirë dhe këtë mosntër, me këtë demon të pushtetit, i cili duke mos njohur ligj dhe parim, mobilizoi kundër kësaj partie agjenturën ruse nën petkun e organizatës më të fuqishme FBI”, tha ndër të tjera Sali Berisha.