Berisha: Soros po i jep gjithë pushtetet Ramës. S’mund të mbështetet një qeveri kriminale
Ish-kryeministri, Sali Berisha, deklaroi sot se 30 qershori i votimeve me një parti ka goditur vlerat e demokracisë në Shqipëri. Në një prononcim për mediat nga selia e Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike duhet rivendosur sa më parë.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i PD-së ishte në një linjë me Presidentin Ilir Meta lidhur me ndikimin e filantropit Xhorxh Soros në jetën politike në vend. Berisha deklaroi se pseudoreformat që po bën Edi Rama, si ajo në Drejtësi, është e orientuar nga fondacionet e Xhorxh Soros dhe i japin Edi Ramës të gjitha pushtetet në Shqipëri.
Ish-kryeministri deklaroi se ndërkombëtarët duhet të kuptojnë se në Shqipëri nuk është më një qeveri legjitime që ka mbështetjen e shqiptarëve, por një narko shtet. “Shqipëria sundohet nga një narkoshtet. Cila drejtësi të hetojë, narkodrejtësia? Cila mafie në botë heton veten. nëse drejtësia do kishte hetuar, s’do ishte kjo situatë në Shqipëri. Ajo pseudoreformë e Soros do t’i jepte Edi Ramës të gjitha pushtetet që e shndërroi drejtësinë në narkodrejtësi. Mafia nuk heton veten e vet. Dhe ndaj mos u sugjeroni shqiptarëve gjëra galante, sikur këtu është një vend me demokraci, e jo me të gjitha pushtetet e kapura nga një mafioz, Edvin Kristaq Avdyli, Edvin Kristaq Lala. Kush pengoi hetimin, opozita? S’mund të hetohet krimi elektoral sa të jetë Edi Rama. Nuk mund të mashtrohen shqiptarët me të tilla deklarata”, -deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri u ndal dhe në farsën e zgjedhjeve, duke ju referuar raportit të OSBE/ODIHR. Berisha u shpreh se raporti rrëzoi farsën e Edi Ramës dhe praktikisht nuk i njeh zgjedhjet. “Raporti njeh dekretin e Presidentit për datën e zgjedhjeve dhe i thotë qeverisë se dekreti nuk rrëzohet nga Denar Biba (KQZ), por nga Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të bëhet një herë pushkatimi, siç bënë këta dhe më pas jepet vendimi me Gjykatën Kushtetuese”, tha ndër të tjera Sali Berisha.
Lidhur me aksionin e opozitës, Berisha u shpreh se sot më shumë se kurrë beteja për votën e lirë duhet të vazhdojë. “Në rrafshin vleror ka një karakter të shenjtë. Vlerat e demokracisë të groposur me 30 qershor me farsën moniste duhet të vendosen një minutë e më parë. Thirrja ime për mbarë qytetarët shqiptarë është të vazhdojnë betejën deri në fitoren tonë vendimtare të plotë”,- deklaroi ish-kryeministri Berisha.
Berisha mbrojti bojkotin e opozitë dhe faktin që nuk pati akte dhune gjatë zgjedhjeve. Ish-kryeministri tha se qëndrimet e opozitës janë parimore dhe të drejta, por nuk mund të pengonin me dhunë të drejtët e të tjerëve për të bërë edhe zgjedhje farsë. “Në demokraci, e drejta jonë mbaron atje ku fillon e drejta e tjetrit”,- deklaroi Sali Berisha.
Lidhur me vijimin e aksionit opozitar, Berisha tha se opozita duhet të qëndrojë e papërlyer dhe të denoncojë këtë qeverisje që është kthyer në rrezik për shqiptarët. “Nuk u bënë pjesë e farsës më të shëmtuar të narkoshtetit ku baronët e drogës dhe krimit me pushtet dhe në shpellat e drogës vendosin për fatin e qytetarëve. Është jetike që opozita të qëndrojë e papërlyer. Besnike e vlerave dhe për asnjë sekondë fasadë e një regjimi më të urryer që kanë pasur shqiptarët nga koha e Enver Hoxhës deri më sot. Zgjedhjet janë të dënuara me vdekje, nuk ishin zgjedhje ato po një farsë”,- deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.