Çmimi NOBEL/Romani “Vegjetariania” i autores koreano-jugore Han Kan i lexueshëm, por pa ndonjë simpati për autoren!
Nga dom Gjergj Meta-
Romani “Vegjetariania” i autores koreano-jugore Han Kang, çmimi nobel për letërsi 2024, është një roman i bukur. Megjithatë, pasi e mbaron së lexuari, nuk të jep ndjesinë e një “must read” sikurse p.sh. më ka ndodhur me Jon Fosse apo Annie Ernaux.
Me këtë roman konfirmova edhe një herë se pas Freud-it as letërsia e as vështrimi i përgjithshëm mbi jetën nuk mund t’u shpëtojnë paradigmave psikologjizuese. Me psikoanalizën e tij ai ka kushtëzuar thellësisht, bashkë me Niçen dhe Marksin, artin, letërsinë, botën dhe vizionet mbi të. Në fakt edhe ky roman duket sikur të ishin rrëfimet e një pacienti në shtratin e një psikoanalisti ne një seancë terapie, ku trajtohet një traumë që i ka rrënjët në raportet e hershme familjare.
Gjithçka në roman nis me një ëndërr. Pavarësisht se përmbajtja e ëndërrës nuk tregohet, shpërfaqen pasojat e saj në jetën e një individi femër dhe në relacionet e saj me prindërit dhe me motrën e saj.
Ky roman prek një temë që do të shkonte mirë në çdo vend të zhvilluar të botës. Gjithsesi asgjë specifike rreth kulturës aziatike koreane nuk tejduket në roman. Ndikmi i botës perëndimore tashmë ka prekur çdo cep të planetit. Jo vetëm fenomenet, por edhe intepretimi qê autorja i bën i atyre nëpërmjet letërsisë, është kryekëput me trajta të një mendësie perëndimore.
Romani lexohet mjaft rrjedhshëm, por në fund nuk ngjall ndonjë dëshirë të papërmbajtshme që të marrësh në dorë një vepër tjetër të autores.