Dështon raundi i dytë për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese

Dështoi sot dhe raundi i dytë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Në garë janë 3 anëtare të kësaj gjykate, Fiona Papjorigji, Holta Zaçaj dhe Marjana Semini. Për një kohë të gjatë posti i drejtuesit të Gjykatës u mbajt nga Vitore Tusha e vetja, nga anëtarët që i mbijetoi procesit të vettingut, dhe qëndroi në detyrë deri në plotësimin e Gjykatës me të 9 anëtarët e saj të rinj, pasi dhe Gjykata e Lartë zgjodhi janarin e shkuar zëvendësuesen e saj si anëtare, Holta Zaçajn, pas tre perpjakjesh të dështuara që nga vitit 2017. Zonja Zaçaj, e cila është në garë për kryetare, ka megjithatë një mandat i cili i skandon vitin e ardhshëm.

Ligji parashikon që Kryetari “zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri…”.

Në votimin e parë Papajorigji mori 3 vota, Semini 2 dhe Zaçaj 4 vota. Asnjëra prej tyre nuk siguroi kuotën minimale të nevojshme, prej 5 votash. Edhe sot po ashtu, asnjë prej kandidatëve nuk siguroi shumicën e votave, dhe sipas ligjit, pas raundit të dytë do të duhej të vijohej “me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave”. Por as ky skenar nuk u realizua, duke qenë se të tre kandidatet morën një numër të barabartë votash, secila nga 3. Në një situatë të tillë, raundi i tretë do të zhvillohet sërish mes tre kandidatëve. Ky raund është arashikuar për të hënën. Nëse asnjëra prej kandidateve nuk siguron 5 vota, atëherë ligji parashikon që Kryetari të caktohet me short.

SHKARKO APP