Namik Dokle dhe Ethem Ruka mbeten dy ikona emblematike të PS. Ata me emrin e punën e palodhur i dhanë PS-së një emër të mirë në publik, dikur. Ndërkohë vitet kanë vrapuar dhe ata tashmë nuk janë më pjesë aktive e politikës, por shkruajnë, krijojnë dhe lenë trashegim brezave vepra të nivelit.
Namik Dokle sot ka promovuar librin e tij “Zhdukja e çmimit NOBEL”, ndërkohë Ethem Ruka ka paralajmeruar librin e tij të ri me titull “A e njihni vërtet trupin tuaj?”.

Ndërkohë, siç thamë me sipër, sot Namik Dokle promovoi librin e tij.
Meslumas, qyteti që mirëpriti të dëbuarit me dhunë nga trojet e tyre, ka fituar Çmimin Nobel për Paqe.
Por, një mëngjes të ftohtë marsi, nga ky qytet, në Prokurorinë e Shtetit vijnë dy lajme tronditëse. Një vajzë e një djalë janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Në po të njëjtën ditë humb edhe medaljoni i Nobelit, për të cilin zyrtarët e lartë ishin grinder mes njëri tjetri për përkatësinë e çmimit.
Kështu nis vepra më e re e shkrimtarit Namik Dokle, që në fakt i referohet qytetit të Kukësit që ka strehuar mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës.
“Ka dy plane. Plani i parë është plani i tragjedisë që ndodhi, që përcillet nga një prej personazheve, i cili ka mbajtur ditarin e kësaj situate. Plani tjetër është plani i zhdukjes së Çmimit Nobel”, tha Namik Dokle, autor i veprës.
Përmes narrativës së përdorur, autori zbulon groteskun provincial të zyrtarëve burokratë, të cilët grinden për një “grimë lavdi”, pa pasur asnjë meritë. Bindja se misioni i letërsisë nuk është të shkruajë për gjeneralët, për heronjtë, por për viktimat e historisë.
“Thelbi i subjketit të këtij romani është nderimi i viktimave të historisë dhe jo atyre që rrahin gjoksin, sikur kanë çliruar jo vetëm Kosovën, por të gjithë botën”, vijoi Dokle.
Romani ngërthen plot situata tragjike dhe lirike, dashuri të sinqerta e tradhti bashkëshortore, ndershmëri sublime dhe hipokrizi, derisa në fund zbulon se ku kishte përfunduar Nobeli i Paqes për Meslumasin, duke ftuar lexuesin në reflekim mbi vlerat njerëzore që mbesin përtej çdo çmimi e trofeu.

