E dogjën edhe ishullin e Sazanit. Shërbimet e huaja fqinje apo lojë për investime nga oligarkët?!

Monika Kryemadhi ka postuar dhe shkruar sot në lidhje me masakrën mjedisore në ishullin e Sazanit, ku po digjet i gjithi por strukturat shtetrore, thotë ajo, nuk kanë mjete.
Ja statusi i Monika Kryemadhit:
Mëqënëse kryeministri Rama ka më shumë qef llafet se faktet e papërgjegjshmërisë së tij, ja disa të vërteta që e ftoj t’i kundërshtojë:
Shqipëria ka në pronësi 4 helikopterë “Cougar”.
Aktualisht sot:
2 janë në Poloni, në pritje për servis.
I treti ka dy vjet në Itali, pasi ka bërë ulje të detyrueshme në kthim nga Franca.
Ndërsa i katërti është në Farkë, sapo është kthyer nga servisi në Zvicër, por nuk fluturon dot se ka rrjedhje vaji.
Sot në Farkë fluturojnë vetëm dy helikopterë “As” të Policisë së Shtetit, me të cilët bëjnë stërvitje studentët e rinj. Edhe këta, punojnë vetëm pak orë dhe ngelen në tako.
Ah po, është edhe helikopteri i shëndetësisë EC-135.
Në kohën kur Shqipëria gjendet e papërgatitur ndaj çdo krize që vjen, buxheti i shtetit vazhdon të shpërdorohet me urdhër të Ramës për pronarët e inceneratorëve dhe PPP korruptive, që janë në fakt krenaria më e madhe dhe veprat e vetme të kryeministrit”- shkruan Kryemadhi.
Ndërkohë ish-kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prenci thotë se ka mundesi edhe shërbime intelegjente të huaja fqinje që të dëmtojnë turizmin shqiptar.
Ai tha se “Po na godasin zjarret në zonat turistike. Pse pikërisht në bregdet? Ka pasur një raport të hollësishëm të shërbimit informativ shtetëror për disa tendenca edhe për shërbimet e huaja për zjarret në Shqipëri.

Nuk është analizuar kurrë, ka patur interesa të shërbimeve të huaja për të patur zjarr në Shqipëri. Sidomos në zonën bregdetare, e them me bindje të plotë. Nuk pyet kush për sigurinë kombëtare në Shqipëri.

I bëj thirrje SPAK të hetojë se përse Shqipëria nuk ka asnjë mjet ajror dhe detar për të operuar për situata emergjente.”-tha Prençi.

Por ish-kreu i emergjencave shtoi se “Sazani ka disa lloje objektesh ushtarake. Para viteve ’90 Sazani ka patur mbi 12 reparte ushtarake. Kam patur fatin të kem bërë praktikën kur kam mbaruar shkollën dhe e njoh me detaje. Është fatkeqësi që ne ta humbim Sazanin dhe ta kthejmë në një tokë të djegur. Ne nuk jemi të zotë ta kthejmë në një zonë të frekuentuar nga turistët nga e gjithë bota por e kthejmë në një tokë të djegur për ta gazuar nesër oligarkët”- insiston ai.

Varianti se po e djegin vetë që nesër të fillojnë ndërtimin e resorteve turistike disa oligarkë, është për tu hetuar nga SPAK e jo nga prokuroria e Vlorës.

Në foto:Ishulli i Sazanit përfshirë nga flakët.

SHKARKO APP