E rrallë/Postblloku i Poliçanit, s’lejohet askush që nuk është banor i qytetit

Nga Artan Hoxha

Njësia Administrative Bashkia Poliçan, prej 48 orësh ka organizuar një plan masash krejt unik nga pjesa tjetër e vendit për të penguar dhe parandaluar përhapjen e Covid-19 brenda territorit te saj. Prej dy ditesh një postbllok i përforcuar ka bllokuar qarkullimin e të vetmit aks rrugor që lidh Poliçanin me pjesën tjetër të vendit.
Kjo bashki ka të regjistruar zyrtarisht 800 të semurë kronikë për shkak të punës së vështirë dhe sëmundjeve profesionale të marra sidomos nga moshat e mëdha që kanë punuar për dekada me radhë në kombinatin e ushtarak të këtij qyteti.
Poliçani është themeluar si qytet industrial në vitet ‘60-‘70 të shekullit të kaluar, kur nisi dhe ndërtimi i kombinatit ushtarak për prodhimin e armatimeve dhe municioneve luftarake. Pikërisht për këtë fakt afro 15% e popullatës së këtij qyteti të vogël, vuan aktualisht nga sëmundje kronike dhe sidomos ato që kanë të bejnë me rrugët e frymëmarrjes.
Për këtë shkak në bashkëpunim edhe me komisariatin vendor të policisë, kryebashkiaku Adriatik Zotkaj i mbështetur nga këshilli bashkiak ka urdhëruar ngritjen e një postblloku në hyrje të qytetit.

Postblloku përbëhet nga forca të policisë së shtetit dhe policisë bashkiake dhe qëndron 24 orë në shërbim. Poliçani është një qytet gati i izoluar për shkak të terrenit malor dhe të faktit që ka vetëm një rrugë nacionale e cila e lidh me pjesën tjetër të vendit, aksin Poliçan-Berat.
Drejtimi tjetër dalës nga Poliçani, është drejt një bashkie më të vogel, asaj të Skraparit, e cila ka një terren edhe më të thyer malor dhe ndodhet gati e izoluar nga pjesa tjetër e vendit.
Duke qenë dy nga bashkitë më të varfra në vend, më të izoluara gjeografikisht dhe me shërbim spitalor fare minimal, edhe Bashkia e Skraparit i ka mbështetur masat e marra nga Poliçani, pasi e njëjta rrugë nacionale shërben për të lidhur edhe Skraparin me pjesën tjetër të vendit.
Por çuditërisht, disa orë më parë Drejtoria e Policisë e qarkut Berat, nga e cila varet komisariati i Poliçanit, ka dhënë urdhër që trupat policore të largohen nga postblloku. Në keto kushte, Bashkia Poliçan ka vendosur ta mbajë postbllokun vetëm me policët e vet bashkiakë.
Detyra e postbllokut është të ndalojë hyrjen në drejtim të Poliçanit, të çdo personi që vjen nga jashtë vendit, apo dhe nga qytetet e tjera ku tashmë është verifikuar se ka patur raste të qytetarëve të infektuar me covid-19. Praktikisht në drejtim të Poliçanit dhe Skraparit lejohet kalimi vetëm i tregtarëve vendas, ambulancave mjekësore apo mjeteve të policisë.
Nuk lejohet kalimi i asnjë mjeti tjetër privat apo personi që nuk është banor i qytetit pavarësisht motiveve që ai ka.
Po ashtu ndalohet hyrja e çdo personi me origjinë nga kjo zonë i cili nuk ka nje arsye të fortë pse kërkon të hyjë në qytetin e Poliçanit. Të vetmit persona që lejohen të kalojnë postbllokun si në hyrje ashtu dhe në dalje janë tregtarët e identifikuar saktësisht si banorë të qytetit, të cilët mbajnë me furnizim popullatën.
Madje dhe atyre u është kërkuar që të marrin furnizime afatgjata që te mos dalin shpesh nga qyteti.
Urdhri i ardhur nga Drejtoria e Qarkut Berat për ta larguar policinë e shtetit nga postblloku është pritur me irritim nga autoritetet lokale të cilat kanë deklaruar se nuk do ta largojnë postbllokun për asnjë arsye edhe pse policia e shtetit është larguar.
Qëllimi i kësaj mase ekstreme është mbrojtja e afro 6 mijë banorëve rezidentë në Poliçan nga përhapja e Covid-19. Spitalet si në Skrapar ashtu dhe në Poliçan shërbejnë thjesht si ambulanca dhe nuk kanë mundësi të përballojnë qoftë dhe një rast të vetëm që kerkon shërbim të specializuar mjekësor.
Qyteti më i afert, që ndodhet vetëm 20 km larg, Berati, tashmë jo vetëm është në listën e të infektuarve nga Covid-19, por edhe një pjesë e mirë e personelit mjekësor të spitalit të këtij qyteti është në vetëkarantinim për shkak të dyshimeve se mund të jenë infektuar nga pacientë që nuk e dinin se ishin bartës të virusit.

Në foto pamje të postbllokut në hyrje të Poliçanit sot në mesditë.

SHKARKO APP