Edi Rama deklaron prerë: Për aq kohë sa do të jem në krye të qeverisë, nuk do të pranojmë palestinezë!

Kryeministri Edi Rama, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka mohuar lajmet se qeveria amerikane po planifikon të dërgojë refugjatë nga Palestina në Shqipëri.

Lufta në Gazë dhe konflikti Izrael-Palestinë ishte tema e këtij takimi, në të cilin njerëz nga politika, bota akademike, shoqëria civile dhe media kishin mbushur thuajse të gjithë sallën në “Amerikahaus” në Mynih.

Në panel ishin lajmëruar si folës edhe kancelari austriak Alexander Schallenberg dhe ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal Bin Farhan Al Saud, të cilët e anuluan ardhjen në çastet e fundit dhe u zëvendësuan nga politikani gjerman Armin Laschet, i partisë CDU dhe ish-kryeministri i Libanit, Najib Mikati.

Presidenti amerikan Donald Trump, tha pak ditë më parë gjatë një konference për shtyp se Shqipëria është në listën e vendeve që ai po merr në konsideratë për dërgimin e refugjatëve palestinezë.

“Asnjë nuk na ka pyetur nga administrata Trump por dhe nëse do të na pyesin – çka nuk është e logjikshme, sepse ne jemi në mes të Europës dhe si mund të vijnë tek ne qindra-mijëra vetë… – gjithsesi kjo është pjesë logjistike dhe ne jemi një vend i vogël. Por kjo nuk ka për të ndodhur, të paktën jo gjatë qeverisjes sime” – u shpreh Rama.

Duke sjellë në vëmëndjen e të pranishmëve mikpritjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, pranimin e 7 mijë muxhahedinëve dhe strehimin e afganëve që u larguan pas rikthimit në pushtet të talebanëve në vitin 2021 dhe që u strehuan në Shëngjin, ku ende vazhdon të jetë një pjesë e tyre – Rama deklaroi se situata me palestinezët është ndryshe.

“Ne na vjen shumë keq për këta njerëz të cilët janë viktima të një prej diktaturave më të egra që ka ekzistuar ndonjëherë, që është Hamasi, por ne nuk jemi pjesë e kësaj historie dhe nuk do të jemi kurrë” – deklaroi Rama, duke theksuar se edhe shifrat kanë rëndësi.

“Nuk jam kontaktuar nga qeveria amerikane. Por për aq kohë sa do të jem në krye të qeverisë, nuk do të pranojmë palestinezë,” – deklaroi Rama.

Ky qëndrim vjen në një moment kur çështjet e migracionit dhe refugjatëve po diskutohen gjerësisht në arenën ndërkombëtare.

E teksa Laschet mbrojti rolin e Gjermanisë dhe Bashkimit Europian në rajon, Rama habiti të gjithë të pranishmit në sallë duke e reduktuar kryediplomaten gjermane tek pamja e saj e jashtme. “Ajo është e bukur” ishte komenti i Ramës për vizitën e ministres Baerbock në Siri.

Rama u përqendrua sërish tek BE-ja dhe duke ironizuar mënyrën e funksionimit të saj, tha se BE-ja është një strukturë e cila sipas tij “shpik çdo javë normativa dhe rregullore të reja”.

Pra qëndrimi i numrit një të qeverisë shqiptare ishte i prerë JO.

Ndërkohë ish-kryeministri Berisha që pretendon se do të marrë pushtetin me 11 maj ka lenë të hapur mundësinë e marrjes së 100 mijë palestinezëve nga Gaza, ku pjesa dërmuese do të vendosen në Tiranë.

Kjo, realisht, ka shkaktuar irritim të fortë në Shqipëri, sepse do ta bëjë Shqipërinë të pajetueshme. Pas deklaratës së prerë të kryeministrit Rama se nuk do të pranojë asnjë palestinezë nga Gaza, duhet që edhe lideri demokrat, Berisha, ta thotë hapur në publik se nuk do ti pranojë.

Shqipëria ka pranuar jashtë takatit të saj afganë, opozitën e Iranit, por nuk mundet të pranojë 100 mijë familje palestineze në Tiranë.

Nuk kemi asgjë me palestinezët, porse pse përherë gjëndet Shqipëria për të marrë ato që nuk i merr Europa. Asnjë shtet në Ballkanin Perëndimor nuk e ka bërë atë që ka bërë Shqipëria deri më tani.

Ndaj deklarata e fortë e Kryeministrit Rama ka nevojë edhe për Sali Berishën që qytetarët ta dijnë para se të votojnë. Duhet që Berisha ta thotë, pasi flitet se ka bërë pazare të fshehta me segmente në Uashington që me hiqni nongrata dhe me ndihmoni të rikthehem në pushtet, dhe me pas 100 mijë palestinezë i merr në Tiranë qeveria e tij.

Me të gëzuar janë oligarkët dhe firmat e ndërtimit, të cilët duan të shesin apartamentet e tyre në pallatet e shumta në Tiranë.

Aq e ndjeshme mbetet kjo temë në Shqipëri, sa edhe batutat kanë filluar që nëse vijnë 100 mijë palestinezë në kryeqytet, do të kërkojmë me qiri një tironas mes tre palestinëzëve.

Berisha duhet të prononcohet, edhe për atë vetë si njeri që kërkon pushtetin, por para zgjedhjeve.

 

SHKARKO APP