Edi Rama mund të marrë Bashkinë e Shkodrës me Benet Becin, votat e Agron Çelës vendosin!
Nga Daniel Muçaku-
Edi Rama llogarit gjithçka, si të thuash është me kembë në tokë, ndonëse duhet pranuar se ka çdo pushtet në Shqipëri. Edhe ndarjen e Pakos së Madhe me lekë, diku afro 80 milionë euro për të gjitha shtresat shoqerore në vend, e bëri me një pikësynim politik; të marrë votat.
Çdokush po të ishte në pushtet e bënte, por Rama gjeti mënyrë elokuente për ti justifikuar këto miliarda me lekë si ndihmë.
Zgjedhjet vendore te 14 majit 2023 do të jenë vendimtare si për fatin e Edi Ramës, por ashtu edhe për opozitën, por sidomos për PD. Nëse fjala vjen i humbet PS, e sigurtë se opozita do ta bllokojë kryeministrin derisa ai të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Këtë e di mjaft mirë Edi Rama.
Ndaj PS-ja ka vendosur të bëjë gjithçka për ti fituar ato. Përveç punëve që ka bërë nëpër bashki, Edi Rama ka shpërndarë që nga muaji tetor krejt strukturat e PS-së drejt bazës në takime. Mjafton të shikosh Damian Gjiknurin, sekretarin e përgjithshëm të PS-së, gjithë baltë nga fshatrat sepse e ka detyrë të takojë çdo njeri; dhe mjafton të kuptosh se kryeministri e ka seriozisht këtë fushatë.
Po kështu Rama i jep çdo ditë një dorë të mirë përçarjes së opozitës dhe duhet pranuar se e bën në përfeksion.
PD-ja është akoma pa zot, juridikisht, ndaj lihet akoma pa u dhënë vendimi i gjykatës së Apelit Tiranë. Vendimi do shtyhet derisa të jetë afati limit para regjistrimit në KQZ. Dhe do ia japin grupit Alibeaj.
Me kaq zgjedhjet janë të fituara nga PS.
Ndërkohë Edi Rama që ti verë vulën fitores dhe ta pranojnë të gjithë, pra edhe vetë dy PD-të, po synon të marrë Shkodrën, një bastion 32 vjeçar që e merr përherë e djathta.
Ndaj Edi Rama mori deputetin e Ilir Metës, shkodranin Agron Çela. Në të vertetë Agron Çela ka votat e tij personale në Shkodër. Fati ka qenë i partisë së Metës që e pati bindur të ishte me LSI (sot PL).
Ikja e Agron Çelës dhe kalimi i tij direkt me PS krijon frikë te e djathta, sepse diferencat në Shkodër janë shumë të vogla mes PD se Berishës dhe PS. Natyrisht duke llogaritur votat që heq grupi Basha-Alibeaj, që nuk janë pak.
Ja lista zyrtare e votave me datën 7 Mars në Bashkinë e Shkodrës:
- Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë mori 20 mijë e 125 vota
- Majlinda Angoni e Partisë Socialiste mori 18 mijë e 176 vota
Pra diferenca e votave mes PS dhe kandidatit të Shtëpisë së Lirisë ishte 1 mijë e 949 vota.
Ndërkohë që Agron Çela në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit 2021 mori i vetëm 2656 vota preferenciale.
Të mos harrojmë se kjo diferencë mbushet nga njerëzit e Agron Çelës, të cilët këtë herë duke parë se Çela është me pushtetin, do të dyfishohen.
Fitorja e mundshme e PS-së në Shkodër vjen për katër arësye:
E para se kandidati i grupit Alibeaj-Basha në zgjedhjet e pjesshme të 7 Marsit, pra Xhemal Bushati mori 7 mijë e 739 vota. E këto ai prapë do t’ja heqë Berishës.
E dyta se deputeti i PS-së Benet Beci që përflitet se do të jetë kandidati i PS për kryebashkiak në Shkodër njihet për reputacion të mirë në Shkodër dhe me lidhje të shumta me demokratët e këtij qyteti. Bile ky emër është më kryesori në rast fitoreje të PS.
E treta faktori Agron Çela.
E katërta, partia e Tom Doshit.
Por ka edhe një faktor të fundit, atje “Skënderbeu” i Tiranës ka dërguar “Mamicën” e tij, ministren e shtetit Elisa Spiropalin. Ajo ka përbashkuar gjithë klanet dhe qejfmbetjet në PS lokale.
Pra Edi Rama do të mobilizojë të gjitha potencialet për të marrë Shkodrën. Dhe nuk do të përdorë bandat, sepse e di se Shkodra është shumë e ndjeshme në këtë drejtim.