Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e parashikuar të mblidhet të shtunën, më 14 nëntor, në Gjirin e Lalzit, duhet të japë përgjigje përtej organizimit partiak ku kryesore janë: Çështja e Tiranës, marrëdhënia Rama–Veliaj dhe reagimi ndaj protestave pra tani këto kërkojnë qëndrime të qarta dhe prera.
Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë. Kjo e drejtë duhet mbrojtur pa kushte dhe pa u ndikuar nga marrëdhëniet e tij me kryeministrin. Por përgjegjësia penale dhe përgjegjësia politike janë dy çështje të ndryshme. Të kërkosh që Tirana të ketë drejtim funksional nuk do të thotë të shpallësh fajtor kryebashkiakun.
Qëndrimi ynë ka qenë se Veliaj duhej të mbrohej në gjendje të lirë. Këtë mendim e kemi edhe sot. Vendimet gjyqësore mund të kritikohen publikisht dhe të kundërshtohen përmes mjeteve ligjore, por ndërkohë duhen respektuar.
Por Erion Veliaj duhet të dalë mbi zemërimin personal dhe t’i hapë rrugë një zgjidhjeje për Bashkinë e Tiranës. Nëse nuk mund ta ushtrojë detyrën, dorëheqja do të ishte një akt përgjegjësie politike. Ajo nuk do të përbënte pranim fajësie dhe as heqje dorë nga beteja e tij gjyqësore. Aq me tepër se Veliaj sipas Ligjit nuk mund të rikandidojë sepse ka mandatin e tij të tretë. Pra dikush tjetër nga PS do të kandidojë dhe nuk duhet të marrë mbi supe administrimin shkatërrimtar të Tiranës për një viti.
Kryeministri Rama duhet ta kuptojë se përgjegjësia e tij nuk përfundon duke kërkuar largimin Veliajt. Kryeministri dhe kryetari i PS-së mban përgjegjësi politike për njerëzit që ka promovuar, për mënyrën si ka reaguar ndaj krizës dhe për zgjidhjen që do t’u ofrojë qytetarëve. Nëse gjendja vazhdon pa afat, kostoja politike shkon drejtpërdrejt në zyrën e tij. Ndaj Edi Rama nuk mund ta kalojë këtë ngjarje në Asamblenë e PS si “zhurmë makine në bulevard”. Duhet të vendosë përfundimisht se çdo bëjë me bashkinë e kryeqytetit në sensing se qytetarët duan administrim dhe shërbime, por edhe për faktin që kjo është bashkia më e madhe e vendit dhe që mund të groposë mazhorancën nëse rrijnë se “nuk mund ta heqim Erionin”.
Tirana nuk mund të presë përfundimin e një konflikti personal. Pastrimi, transporti, infrastruktura, transparenca e shpenzimeve dhe shërbimet publike kërkojnë vendimmarrje çdo ditë. Kryeqyteti ka nevojë për drejtues që përgjigjen për punën, marrin vendime dhe mbajnë përgjegjësi për pasojat.
Po kështu edhe protestat duhen trajtuar me këtë seriozitet. Qeveria duhet t’u përgjigjet kërkesave konkrete, të dëgjojë pakënaqësinë dhe të tregojë çfarë do të ndryshojë. Etiketimi i protestuesve dhe numërimi i pjesëmarrësve nuk janë program qeverisës.
Në media po diskutohet edhe mundësia e ndryshimeve në kabinet. Deri tani kjo mbetet një mundësi e raportuar, jo një vendim i konfirmuar. Nëse Rama vendos të ndryshojë qeverinë, duhet të shpjegojë kush ka dështuar, për çfarë largohet dhe çfarë detyre konkrete merr pasardhësi.
Të shtunën socialistët duhet të dëgjojnë një bilanc të sinqertë dhe vendime me afate. Veliaj ka mundësinë të tregojë se interesi i qytetit peshon më shumë se posti i tij.
Tirana nuk duhet të mbajë mbi shpinë konfliktin e tyre. Veliaj duhet t’i hapë rrugë qytetit; Rama duhet të garantojë një zgjidhje të ligjshme dhe të përgjigjet për rezultatin e datës 9 maj 2027, sidomos për Tiranën.
E kemi thënë disa herë që nëse ndodh që PS humbet kryeqytetin, qeveria qendrore ka rënë politikisht./Spiten Prulli/
