Erion Veliaj pret Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Botërore të Peshëngritjes, Antonio Urso

“Me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Botërore të Peshëngritjes, Antonio Urso – një mik i mirë, me të cilin bisedova për mbarëvajtjen e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes për të rinjtë, që do të mbahet midis Tiranës dhe Durrësit.
Jam i lumtur që Tirana, këtë vit Qyteti Europian i Sportit, është edhe një kandidaturë e fortë për të pritur Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024″- shkruan Erion Veliaj.

Tirana është kandidate për të qenë vendi organizator i Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024.

Kryebashkiaku vlerësoi angazhimin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, e cila fill pas kampionatit të të rinjve, që do të zhvillohet në mars të këtij viti në Durrës, po shqyrton edhe mundësinë e zhvillimit të kampionatit të të rriturve vitin e ardhshëm në Tiranë.

“Një kandidaturë e Shqipërisë për të qenë mikpritëse e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024, do të ishte diçka që do të mbështetet padyshim nga unë, por jam i sigurt Kryeministri, Komiteti Olimpik, Ministria e Arsimit dhe gjithë komuniteti. Unë besoj fort se shansi na është dhënë në të gjitha sportet, por kemi treguar se jemi më të mirë në disa sporte, siç ka qenë peshëngritja dhe atletika. Prandaj, dua të stimulojmë edhe aktivitetet ndërkombëtare rreth atyre sporteve, ku ne kemi treguar edhe me medalje, edhe me rezultat, se kemi më shumë prirje. Për ne do ishte privilegj i madh dhe mundësi e jashtëzakonshme që ta mirëprisnim kampionatin, siç po bëjmë edhe me të rinjtë, ashtu të bëjmë edhe me të rriturit në vitin 2024. E vlerësoj angazhimin tuaj,” u shpreh Veliaj.

Ai e vuri theksin edhe në faktin se në gjithë këto vite, por sidomos gjatë 2023-shit, ku Tirana është dhe Qyteti Europian i Sportit, fokusi te sporti është maksimal, me synimin kryesor te angazhimi i sa më shumë të rinjve në një jetë të shëndetshme dhe aktivitet fizik.

SHKARKO APP