Erli Murati: “Protesta u tradhtua, xhirot nëpër Tiranë i bënte më mirë Basha”
Gazetari Erl Murati e cilësoi protestën e sotme të opozitës si të tradhëtuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha. Nga ajo që u premtua për mosbindje civile dhe rrëzim të kryeministrit, protesta nuk solli asgjë. Vetëm një xhiro nëpër Tiranë!
Duke folur në Panorama TV, gazetari Erli Murati tha se lideri i opozitës nuk mund të flasë për revolucion e më pas të përfundojë me një xhiro në Bulevard.
“Njerëzit u thirrën për revolucion dhe pamë që kjo protestë që Berisha e shfryu këtë cunam popullor duke e katandisur në një xhiro të zakonshme që PD bënte kur drejtohej nga Basha. Të paktën nuk pamë që Berisha të drejtonte një revolucion. Kishte një pjesëmarrje të madhe. Në 2019 kur PD bënte protesta dhe bënte ecje rreth kryeministrisë, militantët e kritikonin Bashën për atë që bënte. Berisha e shfryu zemërimin popullor duke e katandisur në një protestë të zakonshme”, tha Murati.
Sipas tij “Berisha duhet të jetë i sinqertë dhe i drejtëpërdrejtë me simpatizantët. Nëse ka vendosur të bëjë protesta rutinë me parakalime, është e drejtë që të ndodhë kështu. Por duhet t’ua thotë simpatizantëve. Protesta në çdo rast duhet të jetë e qetë dhe paqësore, por në momentin që flet për revolucion dhe qëndresë, nuk mund të bëhet me gjysmë ore para kryeministrisë. Berisha e tradhëtoi protestën dhe pritshmëritë e simpatizantëve. Njerëzit që kanë ardhur nga rrethet dhe kanë dalë aty për të manifestuar, kanë kosto për këtë që ka ndodhur. Paguajnë nga koha e tyre për të ardhur në Tiranë. Berisha nuk e mbajti premtimin për një qëndresë qytetare deri në largimin e Ramës. Këtu ne vetëm qëndresë qytetare dhe mosbindje civile nuk pamë. Në momente të caktuara edhe Basha ka bërë protesta më të forta”- tha Erli Murati.