Falsifikimet e 30 qershorit. PD: Padi për Denar Bibën dhe 3 zyrtarë të KQZ

Partia Demokratike deklaroi sot se do të kallëzojë penalisht anëtarët e KQZ-së dhe gjithë zyrtarët që organizuan votimet monopartiake të 30 qershorit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi tha në një deklaratë për mediat se kallëzimi penal do të bëhet që nga nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe zyrtarë të tjerë që manipuluan rezultatet e votimit.

Në Komisionin Qendror të Vjedhjeve Denar Biba, në bashkëpunim me 3 punonjës të administratës, kanë drejtuar operacionin e rëndë kriminal të falsifikimit dhe manipulimit të votimeve. Pasi merrte urdhrat nga shtabi politik i Edi Ramës për të deklaruar pjesëmarrje të rremë në favor të interesit politik të Partisë Socialiste, Denar Biba dhe tre bashkëpunëtorët e tij në krim, kërkonin nga kryetarët e KZAZ-ve rezultatin që duhej. Ata e siguron këtë nëpërmjet komisionerëve të qendrave të votimit, ku janë mbushur rreth 280 mijë fletë votimi për të plotësuar kuotat e përcaktuara nga Edi Rama dhe shtabi i tij i manipulimit te votimeve antikushtuese”,- tha Bardhi.

Padia e Partisë Demokratike përfshin dhe falsifikimin e rezultatit të votimit. Kodi Zgjedhor ka një procedurë të qartë për mënyrën sesi jepen rezultatet paraprake të zgjedhjeve, procedurë që këtë herë nuk është zbatuar në asnjë pikë të saj nga ana e KQZ-së.

Bardhi tha se PD ka siguruar të dhënat për mënyrën sesi ka funksionuar kjo skemë manipulimi.

Partia Demokratike disponon të dhëna të plota sesi ka funksionuar skema e manipulimit të numrit të pjesëmarrësve në votimet e paligjshme dhe antikushtetuese të 30 qershorit. Ajo ka funksionuar si një piramidë manipulimi, që nis me zyrën e Edi Ramës, vazhdon në zyrën e Denar Bibës, shtrihet tek drejtuesit e KZAZ-ve dhe përfundon tek komisionerët e qendrave të votimit në zonat ku nevojitej falsifikimi. Kësaj skemë piramidale manipulimi dhe fallsifikimi i ka shërbyer edhe mekanizimi që ka denoncuar prej datës 30 qershor edhe Partia Demokratike. Për të mbuluar këtë krim dhe për të mos lënë gjurmë, Komisioni Qendror i Vjedhjeve zhduku transparencën tradicionale të këtij institucioni”,- tha Bardhi.

Sekretari i PD-së tha se KQZ nuk hodhi të dhënat e pjesëmarrjes në sistemin online të të dhënave për të mos lënë gjurmë, si dhe nuk publikoi asnjë tabelë me rezultatet e votimit për çdo qendër votimi. “Votimet me 1 kandidat dhe të paligjshme kanë përfunduar prej 4 ditësh, por Denar Biba me grupin e tij të krimit, si asnjëherë më parë, nuk kanë publikuar asnjë të dhënë për qendrat e votimit për asnjë bashki. Kjo është e paprecdentë.  Ky manipulim flagrant i shërben vetëm propagandës së Edi Ramës për të fshehur dështimin dhe braktisjen e tij totale, për të fshehur katandisjen e Partisë Socialiste në një parti rrogëtarësh, kriminelësh dhe klientësh biznesi”,– tha Gazmend Bardhi.

Katër ditë pas 30 qershorit, KQZ nuk ka nxjerrë ende të dhënat zyrtare të votimeve. Ndërkohë që në media dhe nga qytetarë janë publikuar raste skandaloze falsifikimesh. Falsifikimi më i rëndë është se në 4 ditë, KQZ ka ndryshuar 4 herë numrin e pjesëmarrësve në votimet, duke e rritur nga 19% në 22%.

Në zgjedhjet e tjera, kjo e dhënë ka dalë nga KQZ që në përfundim të procesit të votimit.

SHKARKO APP