Fatmir Xhafaj: ““Kurrë mos i bëj tjetrit atë që nuk do dëshiroje të ta bënin ty”!
Nga Fatmir Xhafaj (fjala në parlament, datë 2 mars 2023)
Në SHBA dhe jo vetëm, çështja McGonigall është një temë me interes të gjerë publik. Debati atje është jo aq për akuzën dhe personin përkatës se sa e lidhur me institucionin në vetvehte. Është marrë i pandehur një ish drejtues i nivelit të lartë të FBI, organizata simbol që për dekada ka qënë dhe mbetet modeli i vlerave të përkushtimit dhe besnikërisë në zbatimin e ligjit çka e ka bërë atë të jetë krenaria e atij vendi.
Ne jemi vendi i dytë pas SHBA ku kjo ka ngacmuar gjerësisht politikën dhe ka marrë deri diku interes publik të spikatur. Kjo edhe sepse në dokumente te ndryshëm të bërë publike, personat e përmendur kryesisht janë shqiptarë dhe midis tyre edhe emri i Kryeministrit.
Përkundër asaj çfarë shkruhet në aktakuzën për McGonigall dhe vet debatit në SHBA këtu tek ne debati është krejt tjetër, shumë larg të vërtetës zyrtare, i fokusuar te personat dhe si përherë një tallava politike, konspiracion i nivelit të lartë, fantazi e shfrenuar dhe vetëm baltë, baltë e vetëm baltë.
Në këtë rrëmujë politiko-mediatike të trajtimit të kësaj çështje, të mbajtur gjallë me çdo formë nga opozita, pa qënë ajo realisht e interesuar për të vërtetën, është e vështirë për këdo tjetër që të sjellë në vëmendje të publikut fakte dhe dhe vetëm fakte dhe jo spekullime politike në lidhje me këtë cështje.
Opozita dhe jo vetëm, me të drejtë ka kërkuar transparencë për një çështje të tillë. Unë pavarësisht se çfarë mendoj për të dhe sidomos për një pjesë të lidershipit të saj gjykoj se ata janë në të drejtën e tyre me këtë kërkesë.
Ne si maxhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë te që pasi e vërteta është në interes të publikut, por gjykoj edhe në interesin tonë politik.
Natyrisht edhe të reflektojmë se si të përmirësojmë disa gjëra në etikën dhe komunikimin zyrtar, konfliktin e interesit, financimin dhe lobimin nga partitë politike etj të tilla.
Duke thënë këtë sigurisht që nuk bie fare dakort me një pjesë të opozitës me qëllimet e ndjekura prej tyre në këtë debat publik dhe ca më keq me gjuhën e përdorur prej tyre, gjuhë që ka kohë që është shpallur nongrata nga publiku me mosbështetjen e hapur ndaj saj. Të dyja opozitat tona si ajo e zyrave dhe ajo e vulës kanë të njëjtin qëllim, sulmin ndaj Kryeministrit. Ajo e foltores, në traditën e vetë, kalon çdo cak të spekullimit politik.
Ka një përpjekje deri në ekstazë politike e mediatike për të treguar përmes kësaj ngjarje dështimin e FBI-së si organizatë, dështimin e vlerave të demokracisë së SHBA-së. Shihni faqet e portaleve, zëdhënëse zyrtare të opozitës dhe do ta kuptoni lehtë këtë gjë.
Mbasi hodhëm baltë dhe shpifje pafund brenda nesh për të arritur më në fund në pikën që të gjithë të perceptohen njëlloj në këtë vend, çka ka bërë që besimi ndaj klasës politike dhe institucioneve është në pikën kritike, tashmë furia e baltës është kthyer nga modelet e demokracive për të thënë se edhe atje si këtu janë, të gjithë njësoj janë ndaj pse çuditeni me çuditë tona.
Personalisht bëj pjesë në ata që besojnë se veçanërisht kjo frymë antiamerikane është e qëllimshme dhe e sponsorizuar.
Që në SHBA dhe kudo në demokracitë europiane mund të korruptohet një zyrtar edhe i nivelit të lartë kjo nuk është ndonjë çudi. Ka plot shembuj të tillë. Po ajo që funksionon aty janë vlerat, besimi te institucionet, zbatimi i ligjit i njëjtë për të gjithë.
Rasti më i freskët ishin shembujt në SHBA me kontrollet e shtëpive dhe zyrave të ishPresidentit dhe Presidentit në detyrë dhe më së fundmi edhe vet çështja McGonicall. Apo shembulli tjetër në Parlamentin Europian ku disa europarlamentar u vendosën nën arrest me akuzën për korrupsion.
Shembuj të tillë sipas disave këtu duhen zbehur, duhen treguar ato keq përmes tallavasë sonë politike. Gjithë ky sulm bëhet pikërisht për ta çmontuar këtë besim, për ta rrëzuar këtë model frymëzues.
Opozita pretendon se Kryeministri Rama ka lobuar kundër saj për ta dëmtuar atë dhe McGonigall është një prej personave të korruptuar me këtë qëllim. Unë nuk di çfarë të vërtete ka në këto pretendime, por ama dy gjëra i di mirë.
E para se kjo historia e lobimit kundër njeri tjetrit në kancelaritë europiane dhe amerikane kundër kundërshtarit politik që në thelb është kundër vendit, imazhit dhe reputacionit të tij, është një histori e njohur me Berishën për vite të tëra dhe më pas me trashëgimtarin e tij politik Bashën aqsa mund të shkruhen volume të tëra faqesh të zeza.
E dyta se Kryeministri Rama nuk kishte për çfarë të lobonte për të shkatërruar PD se shkatërrimin e saj nuk ua solli Rama, por e gjeti midis jush. Fillimisht Sali Berisha dhe Lulëzim Basha më pas me vendimet që morën kur e larguan PD nga parlamenti, kur bojkotuan zgjedhjet vendore, kur u larguan dhe u pozicionuan hapur kundër reformës në drejtësi, kur e shndërruan PD në parti çimkash e shpifjesh, kur u shitën dhe u loboua me fonde ruse, kur e futën PD në një luftë të hapur me SHBA dhe institucionet europiane përfshi dhe partitë e tyre simotra!!
E tashmë të revoltuar, por pa reflektuar parasëgjithash mbi të kqiat që i keni bërë vehtes dhe vendit ju mendoni se me çështje të tilla si kjo do ta mundni Edi Ramën dhe ca më keq akoma vet PS! Një arsyetim tërësish naiv. Jeni në rrugë të gabuar.
Problemi për demokratët e ndershëm nuk është Edi Rama dhe as Partia Socialiste, por ju vet, lidershipi juaj i lodhur, që nuk frymëzon sot zgjedhësit dhe në vend të shpresës mbjell pesimizëm e disfatizëm elektoral.
Tashti po i kthehem një përpjekje mediatike me sponsorizim të dukshëm politik për të më lidhur mua personalisht me këtë histori duke bërë publike një shkëmbim emailesh urimi për festat e fundvitit me z.McGonigall që për hir të së vërtetës ishte thjesht përgjigje e një përshëndetje dhe ftese për takim prej tij.
E vërteta në fakt është se unë nuk e kam takuar në asnjë rast as si Ministër në detyrë dhe as pas largimit prej saj z.McGonigall.
Kam pasur rast të shkoj për disa vizita zyrtare në SHBA dhe të takoj ish eprorë të tij disa drejtues në detyrë e ish drejtues nga më të lartët në FBI si edhe në Departamentin e Drejtësisë dhe DEA, me një pjesë të të cilëve ruaj ende komunimin, por me z.McGonigall në asnjë rast nuk kam pasur asnjë takim apo komunikim, as me zë dhe as me figurë.
Natyrisht nëse do ishin krijuar rrethanat, unë do ta kisha takuar z.McGonigall. Ai nuk ishtë një shkelës i ligjit atëhere (dhe në fakt derisa drejtësia të thotë fjalën e vetë ai nuk është një i tillë as sot), por një funksionar i rëndësishëm i një organizate të rëndësishme sikurse është FBI.
Në një rrethanë tjetër nga kjo sot, atë të mos dijes për sa dimë sot në lidhje me të si person, mundësia e ofruar për këdo nga ne këtu për ta takuar atë do të kishte prodhuar një radhë që do të fillonte këtu e do të përfundonte kush e di se ku. Dhe jam bindur se radhën do ta kryesonin pikërisht këta spekullantët politik më të mëdhenjë të kësaj cështje. Precedentët janë të njohur deri edhe qesharak me disa këtu.
Natyrisht lajmi mbi komunikimin tim të kortezisë me këtë person nuk ishte kot dhe i ripërsëritur disa herë. Ka disa arsye, mendoj për këtë gjë, por sot po fokusohem tek ai më i dukshmi që në fakt është edhe qëllimi i vërtetë i këtij lajmi si dhe i gjithë këtij acarimi politik.
Lidhja e McGonigall me sistemin dhe sidomos me reformën, padyshim është një fantazi, por nuk është një çmenduri, nuk është një lajthitje është një strategji. E njëjtë me sulmet barbare dje ndaj Donald Lu dhe ato ndaj Juri Kim sot.
Reforma në drejtësi, e posaçërisht SPAK ju ka prishuar gjumin disa njerëzve në këtë sallë si dhe shumë të tjerëve jashtë saj. Mbrojtja e hapur, e fortë dhe publike e SHBA, por dhe BE është pengesa kryesore e pakëpërcyeshme për mëkatarët që duan ta shantazhojnë, ta deformojnë, ta demotivojnë dhe frenojnë forcën vepruese të SPAK.
Intimidimi ndaj njerëzve të drejtësisë së re është qëllimi i vërtet i hakërrimit dhe konfliktit të egër politik që po zhvillohet këto kohë.
Berisha e ironizon duke e quajtur SKAP se kështu do ta përçmoj, ta demotivoj dhe shantazhojë. Sipas tij McGonigall paska takuar një e nga një prokurorët e SPAK dhe ju ka kërkuar të marrin të pandehur SB!! Mirëpo deri më tashti SB jo vetëm nuk është marrë i pandehur me gjithë këshillat e mikut McGonigall, por përkundrazi rri e sulmon cdo ditë prokurorët nga frëngjia e SHQUP-it.
A duhet të reagoj SPAK? Unë mendoj që po, pasi është cënuar integriteti i tij publik. Nëse jepen fakte se ka prokurorë të tillë ata duhen përjashtuar si McGonigall nga FBI, por nëse kjo nuk është e vërtet atëhere Sali Berisha duhet të përgjigjet. Ka ardhur koha t’ju vemë gjërave emrin e tyre të vërtetë.
SPAK duhet të shoh përpara dhe të reflektoj seriozisht duke u frymëzuar dhe motivuar nga çështje të tilla dhe veçanërisht nga qasja e FBI në rastin konkret.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë dhe ekipi i tij duhet të injektojnë dhe mbrojnë fort vlera të tilla në trupën e prokurorëve dhe hetuesve, të krijojnë frymë ekipi, besim midis prokurorëve, por njëkohësisht të godasin fort çdo rast të cënimit të vlerave të institucionit në rradhët e veta.
Kryesorja duhet të vazhdojnë të tregojnë më shumë vendosmëri dhe angazhim për tju shkuar deri në fund çështjeve të nisura dhe atyre të rregjistruara dhe vecanërisht çështjeve të nxehta që prej vitesh janë bërë makthi i jetës dhe i shpresës së qytetarëve. Natyrisht përher në kufijtë e respektimit të verbër të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Të pa ndikuar nga asnjë interes përfshi edhe atë të karrierës së tyre.
Unë vazhdoj të besoj te institucionet e reja të drejtësisë, te një pjesë e mirë e shëndetshme gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit dhe veçanërisht gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve që me dëshirë janë bërë pjesë e SPAK, institucioni ku nga qytetarët shqiptarë dhe nga partnerët ndërkombëtarë është investuar shumë mbështetje, shpresë dhe besim.
Shpresë se ata do të sillen e veprojnë si patriot, si heronjtë e kohës së çmendur që jetojmë. Këtë duhet ta dëshmojnë duke bërë drejtësi, duke dhënë drejtësi.
Gjithsesi në fund, dua ta mbyll duke ju kujtuar disave në këtë sallë dy shprehje të mençura popullore, mjaft kuptimplote në këto momente: “Mos kërko ti bësh gropën tjetrit se mund të biesh vet brenda” dhe se “Kurrë mos i bëj tjetrit atë që nuk do dëshiroje të ta bënin ty”!