Futet në luftë edhe Iraku pasi Irani zgjeroi fushëbetejën
Po zgjerohet përditë harta e konfliktit. Irani ka goditur edhe shtetet kufitare, përveç Izraelit, duke krijuar front të madh kundër vetvetes.
Që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën fushatën e tyre bombarduese kundër Iranit, Teherani ka zgjeruar fushëbetejën në mbarë Lindjen e Mesme.
Kjo përfshin edhe fqinjin perëndimor të Iranit, Irakun, ku forcat aleate të Teheranit kanë kryer pothuajse në baza ditore sulme ndaj caqeve amerikane, përfshirë ndaj ndërtesave diplomatike dhe ushtarake, duke nxitur sulme hakmarrëse ajrore të SHBA-së, shkruan REL.
Vetë Irani ka kryer valë të sulmeve me raketa dhe dronë në rajonin gjysmë-autonom kurd në veri të Irakut, ku grupet opozitare iraniane kurde operojnë kampe dhe kanë zyra.
Intensifikimi i dhunës kërcënon që ta destabilizojë Irakun, në shtet me shumicë shiite që ka afër 46 milionë banorë dhe që ende po e merr veten nga vite të pasigurisë pas pushtimit amerikan më 2003 dhe konfliktit të gjatë që nxiti.
“Gjasat që Iraku të përfshihet më thellë në luftën e Iranit janë jashtëzakonisht të larta”, tha Colin Clarke, drejtor ekzekutiv i Qendrës Soufan, institut me seli në Nju Jork.
Por, e ashtuquajtura Rezistenca Islamike në Irak, një organizatë ombrellë e grupeve të armatosura shiite që mbështeten nga Irani, kësaj radhe menjëherë u përfshi në konflikt. Ndaj nga pak e përditë edhe Iraku po futet në luftë, por Liga Arabe nuk funksionon këtë herë sepse Irani sulmoi Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Bahrein, etj.
Për dallim nga lufta 12-ditore e qershorit të vitit të kaluar, Irani e sheh konfliktin aktual si luftë për mbijetesë, thonë ekspertët, teksa Teherani po përdor në maksimum aftësitë ushtarake të tij dhe aftësitë asimetrike të bashkëpunëtorëve të tij në mbarë Lindjen e Mesme për t’iu kundërpërgjigjur SHBA-së dhe Izraelit.
“Sponsori kryesor dhe mbështetësi i këtyre grupeve në Irak – regjimi iranian – është në një luftë ekzistenciale aktualisht dhe për ta është ‘o sot, o kurrë’”, tha Farzin Nadimi, specialist për mbrojtjen e Iranit në Institutin e Uashingtonit.
Disa nga grupet që mbështeten nga Irani nga Rezistenca Islamike në Irak janë po ashtu pjesë e Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), një organizatë ombrellë ku bëjnë pjesë kryesisht milicitë proiraniane që ka qenë pjesë e ushtrisë irakiane që nga viti 2016.
Rezistenca Islamike në Irak, që ka fituar nam vitet e fundit, ka kryer dhjetëra sulme ndaj trupave amerikane në Irak dhe Sirinë fqinje që kur Izraeli nisi luftën e tij në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023. Sulmet nga grupet irakiane kanë nxitur SHBA-në që të përgjigjet me sulme ajrore.
Që nga nisja e fushatës ajrore SHBA-Izrael ndaj Iranit, Rezistenca Islamike në Irak ka kryer vazhdimisht sulme me dronë dhe raketa ndaj ndërtesës së Ambasadës amerikane në kryeqytetin irakian, Bagdad.
Një qendër diplomatike dhe logjistike amerikane afër Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit, ku janë të stacionuar trupa amerikane, po ashtu raportohet se është shënjestruar.
Grupet proiraniane po ashtu dyshohet se kanë lëshuar dronë drejt një baze të madhe ushtarake amerikane dhe kompleksit të Konsullatës në Irbil, kryeqytetit të rajonit gjysmë-autonom të Kurdistanit në Irak.
Kataib Hizballah, një nga grupet më të fuqishme të PMF-së që SHBA-ja e ka shpallur grup terrorist, lëshoi një deklaratë më 17 mars, duke kërkuar që çdo “ushtar i huaj” të largohet nga Iraku, shtet ku afër 2.000 pjesëtarë të personelit të ushtrisë amerikane janë të stacionuar.
SHBA-ja është kundërpërgjigjur duke shënjestruar qendrat e komandës së PMF-së dhe udhëheqësit e grupit në Irak.
Praktikisht Iraku po hyn, pa e kuptuar, në luftë.

Trump sulmon NATO-n: Pa SHBA është një tigër prej letre! Jeni ca frikacakë ju europianët!
KOHA JONË SONDAZH

