Hovenier: Herët të themi se kush është përgjegjës për sulmin në Zubin Potok, por nuk përjashtojmë asnjë grup apo shtet

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha të hënën se aktet e dhunshme si ai i së premtes mbrëma në Zubin Potok në veri, janë të pafalshme duke bërë thirrje për vënien e autorëve përpara drejtësisë.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke rrezikuar vendin, furnizimin me energji elektrike, duke rrezikuar ngrohjen, duke rrezikuar ujin e pijshëm”, tha ambasadori amerikan Hovenier.

Ai i bëri këto komente pas një takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me përfaqësuesit e misioneve diplomatike në vend, për të diskutuar rreth sulmit që dëmtoi kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.

Ambasadori Hovenier tha se është ende herët të thuhet se kush qëndron prapa sulmit por se asnjë grup siç tha nuk mund të përjashtohet nga mundësia tani për tani.

“Mendojmë që është e rëndësishme të bëhet një hetim gjithëpërfshirës dhe i besueshëm për të identifikuar përgjegjësit dhe për t’i vënë përpara drejtësisë. Në këtë pikë nuk mund të themi se kush është përgjegjës dhe gjithashtu nuk jemi në pozicion për të përjashtuar asnjë grup, shtet apo diçka tjetër, është shumë herët”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i ofruan mbështetje Kosovës për ndriçimin e sulmit të së premtes për të cilin kryeministri Kurti akuzoi Serbinë

Prishtina e cilësoi sulmin si një akt terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian.

Beogradi mohoi sërish çfarëdo përfshirjeje në sulmin që dëmtoi kanalin furnizues në Zubin Potok/VOA/

SHKARKO APP