Hovenier: Lëreni nazet, Marrëveshja Kosovë – Serbi nuk ka ofertë më të mirë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të mërkurën se plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është një marrëveshje e përkohshme që siguron një ‘status quo’ më të mirë ndërmjet palëve, të cilat duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi, të cilën ai e cilësoi të jashtëzakonshme.

Ambasadori Hovenier i bëri këto komente në një takim me një grup gazetarësh në Prishtinë, në prag të bisedimeve të së shtunës në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, të cilët muajin e kaluar i thanë po një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, do të diskutojnë për udhërrëfyesin e zbatimit të tij për ta shndërruar atë në një marrëveshje të ndërmjetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

“Dua të jem i qartë se Shtetet e Bashkuara nuk shohin të ketë një marrëveshje më të mirë në këtë kohë. Ky është një hap i rëndësishëm përpara. Është një mundësi e jashtëzakonshme që çon përpara qëndrueshmërinë rajonale dhe vendos marrëdhëniet Kosovë – Serbi në një ‘status quo’ shumë më të mirë”, tha ambasadori amerikan Hovenier.

Plani evropian nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës. Kryeministri Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruajë planin që më 27 shkurt në Bruksel, por kjo nuk ndodhi meqë pala serbe nuk ishte e kishte gatishmëri për një gjë të tillë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se një nga pikat e planit nënkupton që Serbia do të pajtohej me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe për këtë arsye nuk ishte i gatshëm të nënshkruaj.

“Është një marrëveshje e përkohshme dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në pozicionin e tyre se presin një marrëveshje përfundimtare që në fund do të jetë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Ky është qëllimi dhe kjo marrëveshje na sjell shumë më afër”, tha ai.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron në Beograd dhe më pas pritet të jetë edhe në Prishtinë, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar përparim në zbatimin e planit evropian. Vizita e tij pason përpjekjet e të dërguarit evropian Miroslav Lajçak.

Ambasadori amerikan në Prishtinë tërhoqi vëmendjen në konsensusin e gjerë perëndimorë rreth planit dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Nëse arrihet marrëveshja në Ohër atëherë tha ai, do të shihet ripërtëritja e përkushtimit amerikan për përmbushjen e këtij synimi.

Plani evropian parasheh mes tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Ambasadori amerikan tha se themelimi i Asociacionit të komunave e shumicë serbe është përparësi. Zoti Lajçak, tha se u ka dorëzuar autoriteteve në Kosovë 15 modele të ndryshme që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të pakicave në Evropë e që do të mund të përdoreshin gjatë hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kemi qenë të qartë. Nuk besojmë se është e duhur për Kosovën që të pajtohet me çfarëdo që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Që të pajtohet me diçka që nuk është në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, tha ambasadori Hovenier.

Diplomatët perëndimorë krahas diskutimeve me udhëheqësit e të dyja vendeve janë përfshirë edhe në sigurimin e një pajtimi në shkallë të gjerë brenda shoqërive të të dyja palëve, duke nxitur opozitën në Serbi dhe në Kosovë që të mbështesin procesin drejt marrëveshjes.

Të dyja vendet aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian por blloku e ka bërë të qartë se kjo mund të ndodhë pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore, ruan lidhje të fuqishme me Rusinë dhe nuk ka pranuar t’i vendosë sanksione Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, duke llogaritur në mbështetjen e Kremlinit për refuzimin e shtetësisë së Kosovës./VOA/

SHKARKO APP